Pagesa online në çdo kohë dhe pa kosto për 13 detyrime tatimore

TIRANË, 6 qershor /ATSH/- Sipërmarrësit dhe individët mund të kryejnë në çdo kohë online dhe pa pagesë në portalin e-Albania, 13 detyrime tatimore.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tha se përmes platformës e-Albania, mund të bëhet e mundur pagesa e detyrimeve tatimore në çdo kohë dhe pa asnjë kosto printimi. Sipas njoftimit, tatimpaguesit e realizojnë këtë duke u loguar në portalin e-Albania me kredencialet e tyre.

Gjithashtu Administrata Tatimore rikujtoi mundësinë e pagesës online, të plotë ose të pjesshme për këto taksa dhe tarifa si: Tatimi mbi të Ardhurat Personale të Biznesit të Vogël, Tatim i Lojërave të Fatit, Tatim mbi të Ardhurat nga Punësimi, Tatim i Mbajtur në Burim, Tatim mbi Vlerën e Shtuar, Tatim i Thjeshtuar mbi Fitimin, Tatim Fitimi, Tatim mbi të Ardhurat Personale, Taksat Kombëtare, Tarifat Kombëtare, Renta minerare, Kontributet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore, Detyrime globale/Penalitete.

Ofrimi i shumë shërbimeve në rrugë elektronike ka ulur ndjeshëm kontaktet e drejtpërdrejta me administratën, radhët e gjata dhe kohën e pritjes, dhe kështu ka përmirësuar cilësinë e shërbimit ndaj tatimpaguesve. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.