Organizata SOS Fshatrat e Fëmijëve Ndërkombëtarë vlerësohet me Dekoratën “Nënë Tereza”

TIRANË, 6 qershor/ATSH/- Presidenti Meta vlerëson Organizatën SOS Fshatrat e Fëmijëve Ndërkombëtarë, me Dekoratën “Nënë Tereza”, “Për kontributin e vazhdueshëm në ndihmë të fëmijëve dhe të rinjve që e kanë humbur kujdesin prindëror, në zhvillimin e komuniteteve me programe bashkëkohore, për një shoqëri më të barabartë në mbarë botën, si dhe në Shqipëri”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh se, “Shqipëria nuk duhet të jetë vendi i shpresave të thyera, ku shkelen të drejtat bazike të fëmijëve dhe ku varfëria i frenon brezit të ri zhvillimin normal dhe ndrydh ëndrrat e tyre të lira”.

“Ashtu siç ka thënë Nënë Tereza: ‘Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me një dashuri të madhe’. Dhe puna dhe dashuria juaj ka qenë shumë e madhe. Dhe unë ju përgëzoj dhe shpreh mirënjohjen time të thellë që në 70 vite ju keni arritur t’i ktheni solidaritetin, dashurinë, sigurinë dhe shpresën miliona fëmijëve dhe familjeve në nevojë në mbarë botën”, – theksoi Meta.

“Për 23 vjet, Fshatrat e Fëmijëve SOS Shqipëri kanë qenë shtëpia e shumë  fëmijëve pa kujdes prindëror të cilët falë jush kanë gjetur një shtëpi të dashur dhe të ngrohtë.Këtu fëmijët janë rritur dhe kanë filluar jetën e tyre të zotë dhe të pavarur, duke na bërë krenarë për arritjet e tyre. SOS-i ka ndihmuar fëmijë që të rriten në një ambient familjar të sigurt dhe të kujdesshëm”, – shtoi Meta.

“Shumë prej fëmijëve janë bërë prindër dhe gjyshër, dhe aftësia e tyre për t’u kujdesur për familjen që kanë krijuar është përmirësuar për shkak të mbështetjes dhe shembullit që kanë marrë nga ju”, – vijoi Presidenti.

“Fshati SOS duhet mbështetur nga shteti dhe bizneset në mënyrë që të keni më shumë mundësi për t’u kujdesur ndaj më shumë   fëmijëve dhe familjeve vulnerabël. Nuk ka prioritet më të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë sesa investimi për rritjen, edukimin dhe integrimin sa më të mirë të rinisë dhe sidomos të fëmijëve pa kujdesin prindëror”, – theksoi Meta.

“Populli ynë ka mbartur gjithnjë brenda vetes një potencial të pashtershëm mirësie dhe humanizmi. Këtë vlerë tejet të çmuar ai e ka treguar gjatë të gjithë historisë së ekzistencës së vet. Solidariteti vëllazëror, ndihma dhe përkrahja ndaj tjetrit, mbrojtja dhe përkujdesja ndaj individëve në nevojë, të shpalosura ndër shekuj, janë tregues tejet domethënës zemërgjerësie dhe bujarie për një popull modest si i yni. Një popull modest, por me një zemër dhe dashuri të madhe”, – tha më tej Presidenti.

Dekorata e lartë “Nënë Tereza” iu dorëzua Drejtorit të SOS Kinderdorf International për Rajonin e Europës Qendrore, Lindore dhe vendet e Commonwealth-it, zotit Tom Malvet, i cili falënderoi Kreun e Shtetit për vlerësimin, por sidomos për përkujdesjen e vazhdueshme që tregon ndaj fëmijëve të Fshatit SOS në veçanti, dhe fëmijëve e brezit të ri shqiptar në përgjithësi.

Më pas, Presidenti i Republikës dhe të pranishmit ndoqën një dokumentar që ilustronte veprimtarinë e Organizatës SOS, një program muzikor me kolazh nga grupi i violinistëve, si dhe valle dhe shfaqje nga animatorët për fëmijë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.