Kultura dhe historia e Tiranës shfaqet sot në Bullgari

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ – “Hello, my name is Tirana”, një ekspozitë me 40 fotografi bardhë e zi që pasqyron historinë dhe kulturën e kryeqytetit shqiptar, pas suksesit në Bukuresht (Rumani) do të hapet sot në Sofje (Bullgari).

Ekspozita vjen në kuadër të Javës Shqiptare në Sofje, si bashkëpunim i Muzeut Historik Kombëtar me Muzeun Historik Kombëtar të Bullgarisë.

Kjo është një ekspozitë e veçantë, që nëpërmjet një panorame prej 40 kuadrosh, bën të njohur për këdo, shqiptar e të huaj bashkë, historinë e një kryeqyteti.

Publiku bullgar do ketë mundësinë të njohë aspekte të ndryshme të zhvillimit të qytetit më të madh të shqiptarëve, nëpërmjet pamjeve ku shihet jo vetëm infrastruktura dhe urbanistika në zhvillim, por edhe ana etno-kulturore e një populli.

Fotot pasqyrojnë periudha të ndryshme të qytetit që prej vitit 1920 që u shpall kryeqytet i Shqipërisë.

Ekspozita “Hello, my name is Tirana” me 40 fotografitë e saj bardhezi, do të qëndrojë e hapur deri më 25 qershor 2019 në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Bullgarisë në Sofje. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.