Krali: Më 30 Qershor bashkia e Kavajës do t’i rikthehet njerëzve me vizion

TIRANË, 6 Qershor /ATSH/ – Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Kavajës, Redjan Krali hapi zyrtarisht fushatën elektorale, teksa i pranishëm ishte edhe deputeti Arben Ahmetaj.

Redjan Krali theksoi se me 30 Qershor Bashkia do t’i rikthehet njerëzve me vizion, njerëzve të punës dhe një administrate të ndershme.

Ai tha se me të në krye të bashkisë sfida do të jetë për mirëqënien, për zhvillimin e turizmit, për t’i kthyer besimin dhe shpresën këtij qyteti.

Për Bashkinë që duam, për zhvillimin e rimëkëmbjen e qytetit Krali premtoi se do të punojë me përgjegjshmëri për qytetarët, me qytetarët.

Ndërsa Ahmetaj u shpreh se, “në 1 korrik do të kemi kryetarin tonë të Bashkisë, Redjan Krali, i cili jam i bindur që do të dijë të ngrihet në lartësinë e detyrës me përgjegjshmëri dhe do ta nderojë besimin që Kryeministri, që Partia Socialiste dhe qytetarët e Kavajës i kanë dhënë për të marrë në dorë drejtimin e Bashkisë”.

Ky, tha Ahmetaj, “është momenti për të vazhduar projektin e madh të rimëkëmbjes urbane dhe rurale të kësaj zone. Sfida e madhe në 30 qershor nuk është ndaj kundërshtarit të munguar; sfida jonë është t’u rikthejmë bashkinë qytetarëve, të rikthejmë besimin e qytetarëve tek bashkia dhe të punojmë çdo ditë për përmirësimin e shërbimeve ndaj tyre”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.