Gjylameti: Nuk ka pushtet me marrëveshje në tavolinë dhe me molotov

TIRANË, 6 qershor/ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti deklaroi sot se “opozita ka zgjedhur një rrugë pa krye dhe ka lënë në mes kontratën me qytetarët, por nuk ka pushtet me marrëveshje në tavolinë dhe me molotov”.

E ftuar në një studio televizive, Gjylameti theksoi se “mazhoranca i është drejtuar herë pas here opozitës jashtëparlamentare për të dialoguar për të dalë nga kjo situatë, por rruga që ajo ka zgjedhur është ajo e dhunës”.

“Herë pas here u kemi drejtuar ftesa për të dialoguar liderëve të opozitës për të pasur një proces sa më transparent. Në aspektin e tyre ata kanë zgjedhur një lloj rruge, e cila është pa krye. Kanë lënë në mes kontratën me qytetarët. Nuk mund të bindësh një drejtues opozite që mendon se mund të vijë në pushtet me marrëveshjet në tavolinë, ose përmes molotovit dhe dhunës”, – tha ajo.

PD dhe LSI, sipas Gjylametit, “nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje”. “U bëj apel që të kuptojnë që në pushtet nuk vihet përmes dhunës dhe marrëveshjeve në tavolinë. Vihet përmes një alternative më të mirë qeverisëse dhe nëpërmjet qytetarëve që iu besojnë”, – tha Gjylameti. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.