Elbasani model për përpunimin e mbetjeve

TIRANË, 6 qershor/ATSH-Maela Marini/ “Nga qarku i ndotjes më të madhe, Elbasani është kthyer në një model që po e shtrijmë edhe në qarqet e tjera, me impiantin e përpunimit të mbetjeve”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në një takim elektoral në Belsh, Rama u ndal te punët që janë bërë nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste në çdo bashki ku ata kanë qeverisur.

“Kur kemi bërë fushatën në Elbasan kemi qenë me Qazimin duke pritur që të vinte ora. Vinte një erë e tmerrshme e plehrave që digjeshin në mes të qytetit. Qazimi më tha: “Asnjë gjë tjetër, vetëm hiqja këtë kancer Elbasanit nga zemra e qytetit”, – kujtoi Kryeministri.

Tashmë në Elbasan, sipas tij, është ndërtuar modeli i parë i mbledhjes dhe përpunimit të mbetjeve, që do të garantohet për të gjitha bashkitë me radhë.

“Ne jemi të vetëdijshëm për sa kemi bërë dhe sa akoma më shumë duhet bërë. Kemi bërë edhe gabime, sepse kush punon e ka të pamundur të mos gabojë, por duke ecur përpara kemi mësuar gjëra që nuk i dinim. Kemi konstatuar dobësitë dhe të metat tona. E dimë shumë mirë që nuk jemi të përsosur, por më të mirë se ne nuk ka”, – tha Rama.

Sipas tij, vlerësimin për këtë e bëjnë qytetarët me votë.

“Vlerësimi nuk bëhet me fjalë, por me fakte. 30 vjet mjaftojnë për ta bërë vlerësimin. Ktheni kokën mbrapa dhe kujtoni çfarë kanë bërë ata dhe çfarë kemi bërë ne. Nuk kemi shkatërruar, nuk kemi zhytur njerëzit në borxhe e piramida, nuk kemi ngritur armët e shtetit kundër atyre që protestojnë, dhe asnjëherë nuk jemi ndalur së punuari”, – tha Rama.

Sot, tha Kryeministri, punët e bëra në Elbasan, Belsh, Librazhd, Gramsh dhe në gjithë Shqipërinë flasin më mirë se çdo fjalë.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.