Denaj me investitorët e huaj: Në vitet ’20-’21 të gjitha pagesat do kryhen në mënyrë elektronike

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ – Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj mori pjesë sot në takimin e Shoqatës së Investitorëve të Huaj (FIAA), që u zhvillua në Tiranë, ku u njoh me shqetësimet kryesore të bizneseve të huaja në vend, përmes studimit të tyre mbi klimën e biznesit.

Ministrja shprehet lidhur me këtë takim se “më tej prezantova projektin e Fiskalizimit, të cilin Ministria e Financave e ka nisur këtë vit, me synimin që në vitin ’20-’21 të gjitha pagesat të mund të kryhen në mënyrë elektronike”.

“Kjo do të kontribuojë në një ulje shumë të ndjeshme të informalitetit. Gjithashtu njoftova për rezultatet e prekshme të reformave të ndërmarra nga qeveria, si ato që kanë të bëjnë me reformën e derregullimit, me licencat të cilat sot jepen 99% online. I ftova anëtarët e shoqatës të vizitonin shkollat profesionale dhe Zyrat e Punës në çdo vend ku ata operojnë, në mënyrë që të ndërmjetësojnë më mirë nevojat e të dyja palëve, të punëkërkuesve dhe të punëdhënësve”, – deklaroi Denaj.

e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.