30 qershori, vija e kuqe që ndan lojërat politike me sundimin e ligjit njësoj për të gjithë

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama iu përgjigj pasditen e sotme, nga hapja zyrtare e fushatës së zgjedhjeve lokale, të gjithë atyre që mendojnë se zgjedhjet duhet të shtyhen.

“Populli thotë mos e urre kundërshtarin tënd, se të ikën truri dhe e humbet logjikën. Ata i ka marrë me vete urrejtja, kanë humbur logjikën, po ne nuk i shtyjmë dot zgjedhjet. E para, nuk i caktojnë ne, nuk janë e drejta jonë. Janë e drejta e njerëzve për të na gjykuar dhe e drejta jonë për të dalë para njerëzve. E zëmë se shtyheshin zgjedhjet, çfarë do mendonin qytetarët: se kjo është një zgjidhje që e kanë në dorë këta dhe ne jemi mbi ligjin mbi kushtetutën e imagjinoni se çfarë do ndodhte nesër, kur të ngrihej dikush tjetër, se nëse i shtyn një herë, i shtyn gjithmonë”, – tha Rama.

“Zgjedhjet nuk shtyhen. Ato do mbahen më 30 qershor, dhe pas 30 qershorit, gjërat nuk do jenë më njësoj, se do të vendoset njëherë e mirë vija e kuqe ku mbarojnë lojërat politike dhe ku fillon Kushtetuta, rregulli e ligji njësoj për të gjithë”, – tha Rama.

“Ata thonë të ikë qeveria e të bëhet një qeveri si duam ne, me kryeministër si e mendojmë ne, por qeveria nuk është personale. Parafytyroni sikundër të ndodhte kjo e ne të vinim t’ju kërkonim votën për katër vjetët e ardhshme ndërkohë që ju do mendoni se nuk e dimë sesa kohë do të rrini. Mund të dalë dikush tjetër, të dalë nga parlamenti, të marrë molotovin, dhe të kërkojë ndërrimin e qeverisë. Luli mund të vijë të hajë sa të dojë kofshë bretkosash në Belsh, por ‘qofte te daja’ nuk ka, kanë mbaruar”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.