Zvicra njeh kontributet e sigurimeve të qytetarëve kosovarë

PRISHTINË, 5 qershor/ATSH/ – Këshilli Kombëtar i Zvicrës ka vendosur që pensionet e sigurimit të pleqërisë dhe trashëgimtarëve dhe të sigurimit të invaliditetit, do t’iu kthehen kosovarëve që kanë punuar në Zvicër.

Me 110 vota pro, 58 kundër dhe 2 abstenime, ky vendim u mor pas dhjetë vitesh ndërprerje.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli e ka përshëndetur votimin e Këshillit Federal Zviceran për miratimin e Marrëveshjes për sigurimet sociale me Kosovën.

“I lumtur që një vit që nga vizita ime në Zvicër dhe takimi me Ministrin e Jashtëm Ignazio Cassis, sot Këshilli Federal Zviceran ka miratuar Marrëveshjen për Sigurimet Sociale me Kosovën. I jam mirënjohës Ministrit të Jashtëm Cassis për premtimit e mbajtur dhe mbështetjen e plotë për këtë çështje të rëndësishme për qytetaret tanë. Marrëveshja e miratuar mundëson pagesën jashtë vendit të pensioneve për qytetarët e Kosovës qe jetojnë dhe kanë punuar në Zvicër”, shprehet Pacolli./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.