Subashi: 30 qershori, dita kur partitë i binden vullnetit të shqiptarëve

TIRANË, 5 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, i cili rikandidon për një mandat të dytë në zgjedhjet e 30 qershorit, nisi sot turin e takimeve elektorale me banorët e Pojanit, Havaleasit, Kryegjatës dhe Sopit.

Subashi u ndal te investimet që janë kryer këto 4 vjet dhe te ato që do të vijojnë në 4 vitet e ardhshme.

“Faleminderit për të gjithë mbështetjen, angazhimin e bashkëpunimin që kemi pasur bashkarisht gjatë këtyre 4 viteve në punët që kemi bërë dhe në të gjitha projektet që kemi projektuar së bashku, një pjesë e së cilave janë realizuar dhe një pjesë i kemi në proces, dhe do të vazhdojmë t’i realizojmë në vitet në vijim”, tha Subashi.

Ai theksoi se “zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor dhe kjo nuk duhet të diskutohet”. “Zgjedhjet nuk janë as atribut, as vendim i disa partive politike, por janë një detyrim ligjor e Kushtetues. Është caktuar një datë në përputhje të plotë me këtë detyrim Kushtetues dhe nuk u takon partive politike të vendosin nëse do të bëhen zgjedhjet apo jo”, tha ai.

Zgjedhjet, vijoi Subashi, “janë dita që flasin njerëzit, jo partitë”. “Partitë heshtin dhe duhet t’i binden vullnetit të njerëzve. Kjo është arsyeja që ne duhet të respektojmë jo vetëm ligjin, Kushtetutën dhe datën që është vendosur, por duhet të respektojmë dhe t’i bindemi vullnetit të gjithë shqiptarëve. Ne si qeveri dhe si parti jemi të vendosur të përmbushim të gjitha detyrimet tona në funksion të 30 qershorit dhe bërjes së zgjedhjeve me sukses të plotë”, tha ai.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.