Parku Natyror i Levanit/ Subashi: Së shpejti nis puna

TIRANË, 5 qershor/ATSH/- Qyteti i Fierit së shpejti do të ketë parkun e tij natyror me një sipërfaqe prej 200 ha në pyllin e Levanit, i shpallur rezervat natyror i menaxhuar.

Projekti i bashkisë së Fierit synon rivitalizimin e pjesës juglindore të pyllit dhe kthimin e kësaj zone në park kombëtar.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, bën të ditur se së shpejti do të nisë puna për ndërtimin e këtij parku.

“Ky është parku i madh i qytetit në pyllin e Levanit. Projekti ka përfunduar dhe së shpejti pritet të marrë financimin, për të filluar menjëherë nga puna”, shprehet Subashi.

Konkretisht parku do të jetë i aksesueshëm, duke siguruar kalime këmbësorësh dhe biçikletash, hapësira çlodhëse dhe elementë ujorë.

Gjithashtu, bazuar në këtë projekt, do të ndërtohet një kompleks sportiv, i cili do të vihet në shërbim të banorëve të Fierit, por edhe të turistëve.

Kompleksi sportiv do të jetë në funksion të aktiviteteve që do t’i shtohen parkut të Levanit dhe do të ndërtohet me materiale miqësore me mjedisin, për të mos shkaktuar asnjë efekt mjedisor në florën dhe faunën e pyllit.

Zgjerimi i Parkut do t’i shërbejë një numri më të madh qytetarësh dhe do të kthehet në një “frymëmarrje” të re për territoret e njësive administrative pranë./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.