TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Njësia administrative Zharrëz në Patos është kthyer në një kantier ndërtimi, ku po punohet me intensitet kryesisht në drejtim të infrastrukturës rrugore.
Fondet e parashikuara për investimet vendore për vitin 2019 janë drejt konkretizimit në vepra publike, që do të lehtësojnë jetën e banorëve të kësaj zone.
Kryetarja e bashkisë Patos, Rajmonda Balilaj u shpreh “aktualisht jemi duke ndërhyrë në disa rrugë të brendshme në fshatrat Verbas, Sheqishte, Zharrëz, Fshat i ri (Novoselë) e Frashër”.
Projektet për rikonstruksionin e rrugëve përfshijnë kanalizime, shtrim me stabilizant, asfalto-beton etj., duke përmbushur standardet e nevojshme.
Po ashtu, në Zharrëz do të nisë së shpejti puna për rikonstruksionin e një segmenti rrugor jetik për komunitetin e kësaj zone.
Së shpejti do të nisë rikonstruksioni i rrugës “Alit Gjeriti”, si një segment mjaft me rëndësi për Zharrëzën, me dalje direkte në rrugën nacionale Fier-Berat.
/m.m/ /a.g/