UNUM Festival, promovim Shqipërisë reale

TIRANË, 2 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama përshëndeti sot të rinjtë pjesëmarrës në UNUM Festival që po zhvillohet në Lezhë, ndërsa i cilësoi ata si “zëdhënësit më të mirë të Shqipërisë së vërtetë reale, që është shumë e ndryshme nga ajo që shkruhet”.

Në Shëngjin po organizohet UNUM Festival, me tre ditë e netë muzikë në natyrë me pjesëmarrjen e 5 mijë të rejave e të rinjve nga Europa, rajoni dhe jo vetëm, si edhe me praninë e shumë korrespondentëve të mediave të huaja.

“Do të doja t’ju pyesja se kush nga ju vjen për herë të parë në Shqipëri? Ndërsa tani do të doja t’ju pyesja, sa frikë kishit kur erdhët këtu? Asnjë lloj frike? E prisnit të gjenit këtë që gjetët këtu? Nisur nga ato që keni dëgjuar për Shqipërinë, a prisnit të gjenit një vend kaq fantastik, apo menduat… dua të them, nuk kishit frikë se dikush do t’ju vriste, grabiste, dhunonte, merrte peng a gjëra si këto? E them këtë sepse shtypi në Holandë i thotë këto”, iu drejtua Rama të rinjve.

Duke përshëndetur këtë aktivitet, Kryeministri Rama tha se “ky është promocioni më i mirë për vendin”.

“Më vjen shumë mirë që falë edhe mbështetjes të disa miqve nga Kosova dhe punës së Ministrit të Turizmit ne e mikpritëm këtë festival me 5 mijë të reja dhe të rinj nga Europa, rajoni madje dhe Kuala Lumpuri. Këtu kemi të rinj edhe nag Holanda që në fakt nuk i ka ndodhur asnjë gjë nga ato që thotë shtypi në Holandë”, tha Rama.

Kryeministri tha se “këta të rinj do të bëhen zëdhënësit më të mirë të këtij vendi dhe do të përhapin fjalën që Shqipëria është gjithçka, përveç asaj që thuhet se është.

“Natyrisht ne kemi problemet tona, por sigurisht Shqipëria është një destinacion i bukur dhe këtu në Shqipëri mund të gjeni njerëzit më të bukur dhe më mikpritës. Këtë e them me siguri dhe ne jemi krenarë për këtë”, tha Rama.

Këtu në të vërtetë nuk e kemi bashkinë në terezi akoma, tha Kryeministri, duke shtuar se  me pastrimin ka probleme. “Jam gjithashtu shumë i kënaqur që dëgjoj se ju vini këtu jo thjesht për të bërë pak zhurmë, apo prishur natyrën, pasi ju jeni shumë të ndjeshëm ndaj së bukurës dhe pastërtisë së ambientit, pasi ju pastroni gjithçka përreth. Ndaj do të bëni zhurmë dhe të gjitha ato që keni në plan dhe në fund do të pastroni para se të ikni. Ky festival vjen për herë të parë, por nuk është ‘Preka dhe ika”, pasi organizatorët duan ta bëjnë sërish”, iu drejtua Rama të rinjve.

Aktualisht, theksoi Kryeministri, “ne jemi në fazën e zgjedhjeve vendore dhe bashkitë nuk janë edhe aq të zonjat sa i takon pastërtisë, kështu që do t’ju duhet ta bëni vetë. Ju faleminderit që e bëni këtë dhe që jepni një shembull konkret”./j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.