Tërmeti në Korçë, 230 banorë u strehuan në çadra

TIRANË, 2 qershor /ATSH/- Emergjencat Civile (EC) kanë bërë të ditur sot bilancin e dëmeve që shkaktoi tërmeti i rënë mëngjesin e së shtunës në rajonin e Korçës.
Sipas EC të Ministrisë së Mbrojtjes, nga lëkundjet e tërmetit janë evidentuar 184 banesa të dëmtuara, 60% e të cilave janë të pabanuara.
Ndërkohë që 230 banorë janë strehuar në çadrat kolektive të ngritura nga Emergjencat Civile dhe Forcat e Armatosura, nga të cilët 160 banorë të fshatit Floq, 40 banorë nga  Vidova dhe 30 banorë të tjerë nga Qafëzeza.
Në Floq po funksionon shërbimi shëndetësor 24 orë pa ndërprerje. Janë furnizuar me ushqime dhe ujë banorët. Janë siguruar zonat e prekura me forca policore dhe deri tani raportohet për 8 kabina elektrike të dëmtuara nga tërmeti, 7 prej të cilave u riparuan. /e.xh/e.caushi/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.