Opozita e alarmuar nga Reforma në Drejtësi

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot pasdite nga Lezha, ku hapi fushatën elektorale të 30 qershorit, se opozita ka frikë nga Reforma në Drejtësi të cilën socialistët patën kurajën ta përfshijnë në program dhe tashmë u votua dhe po zbatohet.

Rama tha se ata që kanë dalë rrugëve janë përtacë dhe frikacakë.

“Dëgjojini kur flasin, përtojnë edhe të mendojnë dhe nxjerrin nga goja vetëm fjalë që çdo prind u thotë fëmijëve që janë fjalë që nuk duhen përdorur, fjalë të ulëta. Janë të paaftë përveçse dembelë, ndërsa ne nuk jemi të përsosur, jemi të gabueshëm si të gjithë njerëzit, por jemi punëtorë dhe të përkushtuar të bëjmë më të mirën”, tha Rama.

“Janë frikacakë. Ata bërtasin për të trembur frikën e tyre dhe nuk trembin dot askënd. Janë të alarmuar nga Reforma në Drejtësi. Nuk e kanë dashur që ditën e parë, dhe nuk e duan as sot. Por, sot e dinë se nuk e ndalin dot dhe paniku i shtyn në një rrugë ku vetëm kokën e tyre mund të thyejnë dhe ndonjë xham po Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk u bëjnë dot asgjë. Ne jemi guximtarë. Kemi guxuar të vendosim në programin tonë Reformën në Drejtësi, kur ekspertët thoshin se do shumë më tepër vota, u votua dhe po zbatohet, e sot gjykatat po çlirohen nga të korruptuarit që i kanë bërë çorap liritë e të drejtat sikundër edhe pronat e qytetarëve”, tha Rama.

“Trimat nuk bëjnë dhunë aq më tepër në një sistem demokratik, ku trimëria nuk matet me sa muskuj ke e si mund të kthesh veten në shkop për të gjuajtur tjetrin po me kurajën për të bërë reforma e vendimmarrje të vështira që janë gjëja e duhur për të nesërmen. Ata janë të dëshpëruar po ne kemi zgjedhur për të udhëhequr e nuk kemi as mundësinë  e as të drejtën të ndalojmë apo të ndjekim ata nga pas. E kemi për detyrë të ecim drejt e të shkojmë përpara, kush nuk na ndjek dot, na vjen keq, kush kujton se mund ta na kthejë pas do e shohë veten shumë më keq karshi shqiptarëve”, përfundoi Rama. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.