FOTO-VIDEO/Basha: Shqiptarët janë bashkuar në asamblenë e paparë të lirisë e demokracisë


TIRANË, 2 Qershor /ATSH/ -Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi protestën e sotme si asamblenë e paparë dhe të padëgjuar më parë të lirisë e demokracisë.

Në fjalën e tij në protestën e opozitës përpara kryeministrisë, Basha u shpreh se, “qytetarë nga e Tirana dhe e gjithë Shqipëria që keni vërshuar në këtë bashkim të paparë asnjëherë, të fuqisë popullore, që jeni mbledhur dhe jeni derdhur në këtë shesh këtë energji, këtë vendosmëri, këtë shpresë të pandalshme, mirë se keni ardhur”.

“Dua t”ju shpreh sot mirënjohjen time, por në fakt kam nderin dhe privilegjin, t;ju shpreh mirënjohjen në emër të çdo vogëlushi shqiptar, në emër të të gjithë shqiptarëve kudo ku janë, për këtë asamble të paparë dhe të padëgjuar të lirisë e të demokracisë, të mbledhur, të vendosur, kaq të prerë e të qartë në kushtrimin tuaj që sonte ushton për ta dëgjuar e gjithë bota:  Rama ik!”, theksoi Basha

“Në këtë vend, si në asnjë vend të Europës, as të Azisë, as të Afrikës, 30 vite pas shembjes së komunizmit, Edi Rama asgjëson akademinë e shkencave dhe kthen karikaturën e diktaturës në krye të Akademisë së Shkencave, njësoj si në krye të Kuvendit, sepse ai vetë është një karikaturë e diktaturës, që s’ka asgjë të përbashkët me intelektin, asgjë të përbashkët me shkencën, me artin me dijen. Ndaj sot, ushton nga ky shesh në emër të çdo pedagogu dhe elitës së kombit, ushton thirrja “Rama ik””.

“Rama ik është sot kushtrim i vogëlushëve nga Saranda në Shkodër, Durrës e Tiranë, shkolla e kopshte, Rama ik është thirrja e çdo fëmije që sot jeton në pamundësi ekonomike se Rama i mbylli bizneset prindërve, i largon nga vendi i tyre në kurbet në kërkim të një pune. Sot kushtrimi juaj është kushtrim i gjithë fëmijëve të Shqipërisë, rinisë shqiptare, që e ka mbushur këtë shesh me energjinë më të madhe e mahnitëse, që ka parë Europa. Ju shpresë e këtij vendi, brezi i parë europian i shqiptarëve, e ka bërë të pamundur, jetën për ju duke ju detyruar të ballafaqoheni me krizën më të lartë të arsimin, punësimit, ju ka zbehur çdo ëndërr. Rama ik, është në buzët e rinisë shqiptare, sepse Rama shet gjithçka për pasurinë e tij”.

Basha theksoi se “ne nuk do të pranojmë qeverinë e krimit, nuk do të pranojmë një proces kriminal të zgjedhjeve. E gjithë beteja jonë është për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk mund të pranojmë që banda e Edi Ramës të mbajë të mbyllur derën e Europës”.

“ E gjithë beteja jonë bëhet për zgjedhje të lira e të ndershme, e gjithë beteja jonë bëhet për vlera europiane. Nuk mund të pranojmë Edi Ramën dhe bandën e tij ta mbajnë përherë të mbyllur derën e Europës, sepse ajo është shpresa jonë, ato janë vlerat tona. Rrugën tonë të Europës do ta hapim. Rama ik! Dua ta them fare qartë sot, se koha për lojërat e Edi Ramës po merr fund”, tha kreu i PD.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.