Tërmeti në Korçë, Spirollari: Në gatishmëri të plotë për të ndihmuar banorët

TIRANË, 1 qershor /ATSH/- Lëkundjet e forta të tërmetit me magnitudë mbi 5 ballë të shkallës Rihter që u regjistruan mëngjesin e së shtunës në fshatin Mollas të Korçës dhe disa zonave përreth, kanë shkaktuar dëmtimin e rreth 50 shtëpive në Floq dhe Qafëzez si dhe 10 banesave në fshatin Vidohovë.

Ndërkohë që 4 banorë të zonës të dëmtuar lehtë, kanë marrë ndihmë mjekësore në spitalin e qytetit.

Prefekti i qarkut Korçë, Dhori Spirollari, në një prononcim për ATSH-në, tha se, “për shkak të situatës së krijuar po merren masa të menjëhershme, për të dërguar tek banorët e Floqit 40 çadra për familjet, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti. Ndërkohë që po vijon puna për furnizimin me ushqime të banorëve të zonës”.

Ekspertët e fushës, tha ai, kanë përcaktuar tashmë vendin ku do të ngrihen çadrat dhe po marrin masa hap pas hapi për t’ju gjendur pranë banorëve të zonës për çdo nevojë që paraqitet.

“Bashkia Korçë i ka të gjitha kapacitet për t’ju gjendur pranë familjeve në nevojë dhe grupet e ekspertëve janë në terren për të verifikuar bilancin e dëmeve të shkaktuar nga tërmeti”, theksoi prefekti Spirollari.

Gjithashtu Ministria e Mbrojtjes ka dhënë detaje të tjera rreth situatës.

Përmes një njoftimi, bëhet me dije se janë 70 banesa të evidentuara me çarje muresh, shembje çatie dhe shembje suvash deri tani në fshatrat Floq dhe Dvoran. 50 banesa janë të vjetra dhe të pabanuara prej shumë vitesh. Në fshatin Qafëzez janë të dëmtuara nga tërmeti 10 banesa. Në fshatin Vidohovë kanë pësuar çarje të mureve 20 banesa të vjetra. Komisionet e konstatimit dhe vlerësimit të dëmeve janë në terren dhe po evidentojnë çdo dëm të shkaktuar. Nga informacioni i marrë nga Spitali Rajonal Korçë, bëhet e ditur se 4 shtetas kanë shkuar në urgjencën e spitalit për të marrë ndihmën e parë, pasi nga rënia e mureve të disa banesave kanë pësuar lëndime të lehta. Spitali Rajonal Korçë është në gatishmëri me autoambulanca, staf mjekësor dhe me kapacitet 300 shtretër për përballimin e çdo situate.

“Është komunikuar me QBO-në në Ministrinë e Mbrojtjes për të vënë në dispozicion Detashmentin e Korçës në ndihmë të banorëve për montimin e çadrave që do të shkojnë nga DPRMSH si dhe një autobot me ujë të pijshëm. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile është në gatishmëri dhe po ndjek hap pas hapi çdo situatë duke komunikuar me të gjitha institucionet qendrore dhe vendore për të kaluar sa më shpejtë këtë situatë të krijuar”, – thuhet në njoftim.

/e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.