Rama mesazh qytetarëve: Detyra për mua është pasion, bindje atdhetare e jo karrierë politike

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në hapjen zyrtare të fushatës së Partisë Socialiste për zgjedhjet e 30 qershorit, dha një mesazh të drejtpërdrejtë për qytetarët e vendit.

Siç tha ai, mund të mos jetë më i miri, me të mirat dhe të këqijat e veta. “Bëj sa mundem dhe jo sa dua, dhe jo gjithmonë arrij të bëj aq mirë sa dua atë që mundem por sot dua t’ju them duke ju parë në sy të gjithëve. Po të ishte kjo imja një çështje thjesht personale unë ju siguroj se do e lija prej kohësh këtë punë dhe nuk do mbaja rrebeshin e baltës e gurëve mbi vete, po kurrë nuk kam qenë materialist e s’kam për të qenë hajdut e kriminel si ata që më ulin e më ngrenë me këto fjalë nga dekada në dekadë”, tha kryeministri.

“Unë mund të bëj gjykime të gabuara, mund të marr edhe vendimet gabuara po kurrë as kam bërë e as kam marrë e as kam për të marrë asnjë vendim për gjëra të gabuara që i di përpara se janë të gabuara. Nuk kam për ta futur dorën në xhepin e një njeriu të vetëm të gjallë në këtë vend, kurrë nuk kam për ta hedhur firmën për të dëmtuar njerëzit dhe vendin e të ardhmen e fëmijëve”, theksoi kryeministri Rama.

“Gjithmonë i kam sfiduar dhe tani i sfidoj të gjithë ata që thonë të kundërtën. Le ta provojnë me fakte e me argumente, jo me sajesa e fabrikime të ulëta. Kjo detyrë për mua është mision, pasion e jo kalkulim, bindje atdhetare e jo karrierë politike. Është edhe një sfidë me historinë që unë besoj se mund ta fitoj, pasi kam fuqinë  e të gjithëve ju dhe të Partisë Socialiste të Shqipërisë”, theksoi kryeministri Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.