ISHP feston me fëmijët në ditën e 1 Qershorit

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Sektori i Shëndetit Mendor në Departamentin e Promocionit Shëndetësor, Insituti i Shëndetit Publik, me mbështetjen e Cirkut Kombëtar, organizuan një shfaqje në të cilën synohej të jepeshin disa mesazhe lidhur me këtë ditë.

Në shfaqje morën pjesë fëmijë me probleme ose jo të shëndetit mendor, duke synuar kështu dhënien publikut të mesazhit se fëmijët, nuk e diskriminojnë njëri-tjetrin, pavarësisht pranisë së problemeve, por lodrojnë dhe gëzojnë të gjithë bashkë. Po ashtu, një mesazh tjetër që synonte kjo shfaqje në këtë ditë ishte, sensibilizimi i prindërve për të orientuar fëmijët drejt aktiviteteve të shëndetshme, të tilla si ato artistike, fizike, etj., duke i larguar ata nga jeta sedentare dhe varësia nga pajisjet elektronike. Gjithashtu, aktivitete të tilla, i japin mesazh të gjithë shoqërisë lidhur me fokusin tek fëmijët, tek mirëqenia e tyre, pasi ata janë e ardhmja.

Artistët e Cirkut Kombëtar, kishin përgatitur një buqetë me numra të zgjedhur, të cilët krijuan një atmosferë festive për fëmijët pjesëmarrës. /m.z/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.