Investimi në nënstacionin e Mifolit, furnizim më i mirë me energji për abonentët

TIRANË, 1 qershor/ATSH-Maela Marini/ “Investimi në nënstacionin e Mifolit garanton një furnizim cilësor me energji për banorët dhe bizneset e kësaj zone”, deklaroi sot prefekti i Fierit, Baki Bala.

Në një prononcim për ATSH-në, Bala informoi se “në nënstacionin e Mifolit në zonën administrative Vlorë-Fier po bëhet investim në ndërtimin e një nënstacioni të ri me fonde të OSHEE-së”. Ky nënstacion, sipas Prefektit, ndërtohet me prespektivë për t’u shtuar si kapacitet në të ardhmen.

“Nga ky investim përfitojnë gjithë abonentët privatë dhe komunalë të zonës së Novoselës, të cilët do të kenë tension me parametra teknike të mirë. Më parë distanca e furnizimit ishte 30 km larg, kurse tani ajo është jo më shumë se 10 km. Gjithashtu koha e eleminimit të difektit do të jetë më e shkurtër”, tha Bala për ATSH-në.

Ai theksoi se “ky investim ndihmon në balancimin e ngarkesës elektrike të nënstacionit të Kafarajt, duke krijuar lehtësi jo vetëm ujësjellësit të Fierit, por edhe industrisë së lehtë ushqimore në këtë zonë”.

Prefekti Bala siguroi se me këtë ndërhyrje, OSHEE mund të përballojë çdo kërkesë të privatëve për të bërë lidhje të reja të industrive të tyre ushqimore në këtë zonë. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.