FOTO/Festivali UNUM, 5 mijë të rinj nga e gjithë bota “elektrizojnë” Ranën e Hedhun në Lezhë

TIRANË, 1 qershor/ATSH/- Plazhi i Ranës së Hedhur në Shëngjin është shndërruar në destinacionin e rreth 5 mijë të rinj nga vende të ndryshme të botës.

Të rinjtë kanë mbërritur në Shqipëri në kuadër të festivalit të ri të muzikës elektronike në natyrë “UNUM”, që ka nisur mbrëmjen e djeshme, për të shijuar jo vetëm muzikën, por edhe Shqipërinë turistike.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, thekson se “është Shëngjini i shndërruar në destiacionin e festës së të rinjve. UNUM Festival startoi. 5 mijë të rinj nga Anglia, Gjermania, Franca, Hollanda, Belgjika, Italia, nga rajoni e nga përtej Europa kanë mbërritur në vendin tonë për të shijuar jo vetëm muzikën, por edhe Shqipërinë turistike”.

“Festivali Ndërkombëtar i muzikës UNUM, i vlerësuar nga “The Guardian”, si një nga 10 festivalet ndërkombëtare më të rëndësishme të këtij viti”-, shprehet Klosi.

Gjatë ditëve të festivalit të rinjtë do të performojnë artistë të njohur nga e gjithë bota si Craig Richards, Ricardo Villalobos, Luciano, Neverdogs, Cesar Merveille, Butch, Petre Inspirescu, Praslea, Sonja Moonear DeWalta etj.

Shqipëria me natyrën e bukur, plazhet mahnitëse dhe monumentet e kulturës po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj. Turizmi i aventurës, bregdeti dhe çmimet e lira janë disa ndër arsyet që kanë bërë për vete turistët e huaj nga vendet e Europës, por jo vetëm. Përveç natyrës, edhe eventet kulturore po tërheqin turistë. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.