Elbasan/ Nis rikonstruksioni i rrjetit elektrik në Papër

TIRANË, 1 qershor/ATHS/ – Në dëgjesat e herëpashershme publike me banorët e njësisë administrative Papër në Elbasan, është vënë në dukje problemi i furnizimit me energji elektrike.

Banorët e kësaj zone kanë vuajtur nga mungesa e energjisë, sidomos gjatë motit të keq, por edhe tensionit shumë të ulët.

OSHEE tashmë është duke investuar për rikonstruksionin e të gjithë rrjetit të shpërndarjes në këtë zonë.

“Në total është një investim rreth 36 milionë lekë dhe në përfundim të këtij investimi, rrjeti i shpërndarjes së energjisë do të jetë sipas të gjitha standardeve. Ky nuk është investimi i parë që po bëhet këtë vit në Papër. Janë edhe disa investime të tjera të cilat konsistojnë në ndërtimin e pritave të përrenjve malorë, sistemin vaditës, mirëmbajtjen e rrugëve etj.”, tha deputetit socialist i Qarkut të Elbasanit, Taulant Balla, i cili së bashku me kryetarin e bashkisë Qazim Sejdini dhe me kandidatin e PS për bashkinë e Elbasanit, Gledian Llatja, inspektuan fillimin e punimeve.

Shqetësimi i banorëve është ndjekur nga afër edhe nga Gledian Llatja i cili tha se shumë shpejt do të investohet edhe në zona të tjera ku ka problematika me energjinë elektrike:

“Tashmë në këtë zonë kemi një rrjet tërësisht të ri elektrik. Jemi optimistë se shumë shpejt situata e energjisë në bashkinë e Elbasanit, edhe në ato njësi apo fshatra ku ka probleme, do të zgjidhen”.

Sejdini nga ana e tij vuri edhe një herë në dukje se angazhimet e marra nga qeveria shqiptare janë konkretizuar: “Kemi premtuar dhe e kemi mbajtur fjalën. Kjo tregon seriozitetin tonë. Atë që themi e mbajmë. Mund të ketë vonesa, por asnjëherë shkelje premtimesh.”

Investimi i OSHEE vijon më tej në zonën e Bradasheshit, përkatësisht në fshatin Mamël, ku po vendoset një kabinë e re elektrike. Këto investime ndikojnë në rritjen e cilësisë së energjisë brenda normave teknike dhe uljen e defekteve.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.