Durrës/ 48 anije tregtare u përpunuan në port që nga fillimi i majit

TIRANË, 1 qershor/ATSH/- Që nga fillimi i muajit maj në portin e Durrësit kanë mbërritur dhe janë përpunuar 48 anije me mallra të ndryshme.

Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se që nga 1 maji, në Terminalin e Mallrave Gjenerale (që njihet si Terminali Perëndimor) janë akostuar në kalata 20 anije gjithsej.

Po gjatë këtyre katër javëve, 16 anije janë ankoruar dhe kanë përfunduar përpunimin në Terminalin e Kontejnerëve, ndërsa 12 të tjera janë përpunuar në Terminalin Lindor.

Porti i Durrësit, po kthehet në destinacionin e preferuar të ankorimit të anijeve të mëdha. Ai mirëpret anije me mallra të natyrave dhe përmasave të ndryshme përmes katër terminaleve që operojnë në këtë port./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.