Bushati: Zgjedhjet më 30 qershor, Basha kërkon alibi për të ruajtur kolltukun në parti

TIRANË, 1 qershor/ATSH/-Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, gjatë një interviste për “Oranews”, pak minuta para çeljes zyrtare të fushatës elektorale të Partisë Socialiste, tha se zgjedhjet do bëhen më 30 qershor e s’ka asnjë arsye për t’i shtyrë. Sipas tij, opozita dhe veçanërisht Basha kërkon alibi për të mbajtur kolltukun e tij, si kryetar i PD, pasi tashmë ka koleksionuar shumë humbje si lider i kësaj force politike.

Sipas tij, zgjedhjet janë momenti kur flasin qytetarët dhe mosmarrja pjesë në zgjedhje rrezikon shuarjen e betejës politike të një partie. “Si forca më e madhe politike në vend, ne si Parti Socialiste jemi dyfish më të përgjegjshëm. Dita e zgjedhjeve është e vetmja ditë kur flasin qytetarët përmes votës, ku vendosin se cili është personi i duhur, apo më i mirë për të drejtuar bashkinë e tyre”, tha Bushati.

“E mirëkuptoj një opozitë që tregohet e papjekur dhe kërkon zgjedhje të parakohshme, por është absurde kërkesa për shtyrje të zgjedhjeve. Të gjithë partnerët tanë, SHBA, BE…etj e kanë thënë që është qëndrim absurd ky i opozitës sot. Kam respekt për demokratët, por jo për udhëheqjen, që nuk i ofron shqiptarëve rrugën se si do të qeverisë, nëse qytetarët e votojnë, por i shmanget betejës elektorale dhe beteja elektorale është arsyeja se përse janë partitë politike”, tha Bushati.

“Kam përshtypjen se PD e ka parë në sondazhe veten jo mirë dhe ka kuptuar se do të humbasë dhe do ishte humbja radhës e për këtë arsye s’do mbante lidershipin e partisë së tij. Por kjo nuk është arsye që partia Demokratike dhe partitë aleate të shkojnë drejt shuarjes së tyre”, tha Bushati.

Sipas Bushatit, “në vetvete të fitosh një bashki nuk është synimi kryesor, por të ndryshosh jetën e qytetarëve është thelbi dhe qëndrimi ynë”.

“Letra e shtatë e Ramës është një letër që i drejtohet demokratëve të cilët nuk duhet t’i bashkohen absurdit të Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj. Një nga pikat e letrës është ajo që i kujton qytetarëve shqiptarë dhe komisionerëve se zgjedhjet janë të shenjta. Është absurd tjetër, që PD kërkon të ketë vëzhgues e komisionerë ndërsa nuk merr pjesë në lojë”, vijoi Bushati.

Sipas tij vendi ka kaluar shumë momente të vështira nga diktatura te momente të tjera përplasje të ashpra gjatë demokracisë, por sot ka ardhur dita që askush të mos pengohet gjatë ditës së zgjedhjeve. “Ka masa ekstreme, dënime penale për ata që pengojnë qytetarët të ushtrojnë detyrën e tyre të shenjtë, votimin. Falënderojmë SHBA dhe BE për mbështetjen e pakursyer ndaj nesh”, tha Bushati.

Ai shtoi se Komisioni Europian duke kërkuar çeljene e negociatave me Shqipërinë dëshmoi progresin e vendit, prandaj dhe shqiptarët meritojnë sot të jenë të lirë të votojnë dhe të ecin përpara drejt BE-së. “Më vjen keq që Basha kërkon alibi për të mbajtur kolltukun e tij dhe merr vendime të cilat janë kundër ecurisë së vendit, duke djegur mandatet duke braktisur zgjedhjet, gjë që në të gjitha vendet ku ka ndodhur kjo ka sjell shuarje të këtyre partive, ose ri-dimensionim të tyre.  Prandaj është tërësisht absurde që ndodh një ngjarje e tillë që ndodhin në Zimbabve apo Mozambik dhe nuk ndodh në asnjë vend të Europës dhe botës së qytetëruar ku bën pjesë Shqipëria dhe prandaj ka ardhur koha të mendojmë për të ardhmen”, tha Bushati.

“Ne si mazhornacë në aspektin politik jemi më mirë të na shtyhen zgjedhjet, por për Shqipërinë nuk është pozitive. S’mund të kemi shtyrje zgjedhjesh, duhet të respektohen rregullat, kushtetuta. Demokracia ecën me rregulla dhe Kushtetutë, nuk mund të ketë vlerë një debat i tillë”, tha Bushati. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.