Sfida ndaj Islandës, Abrashi: Duhet të jemi të bashkuar

TIRANË, 31 maj /ATSH/ – Mesfushori i Kombëtares shqiptare të futbollit, Amir Abrashi është shprehur sot se, grupi i lojtarëve të Kombëtares duhet të jetë i bashkuar në dy sfidat e radhës së Kombëtares.

Në një dalje për mediet, Abrashi, i cili u rikthye në Kombëtare, madje shënoi golin e tretë në fitoren 0-3 ndaj Andorrës, ndihet mirë dhe shpreson të luajë në këto 2 sfida, ndërsa nuk preferoi të bënte krahasime mes Panuccit dhe Rejas.

“Kam nisur të luaj me Freiburg, në fund të sezonit kam ndier pak lodhje, por kam pasur pak ditë për pushim. Të shohim tani çfarë forme kam. Po të mos isha gati, nuk do isha këtu. Do jap gjithçka për ekipin, gjithçka është në dorën e trajnerit”, tha Abrashi.

I pyetur për grupin e ri të lojtarëve, Abrashi tha se, “kemi bërë shumë gabime, kemi marrë rezultate të mira e të këqija, tani kemi një trajner të ri dhe duam ta nisim mbarë me të”.

I pyetur për diferencat mes trajnerëve Reja dhe Panucci, Abrashi tha se, “nuk i krahasoj trajnerët, secili ka filozofinë e vet dhe rezultatet flasin vetë për ta”.

Sipas tij sekreti i suksesit në Kombëtare është që grupi të jetë i bashkuar.

“Shumë rëndësi ka që ekipi të qëndrojë sa më i bashkuar. Edhe kush nuk luan duhet të jetë gati për ekipin, pa qenë nervoz askush nëse nuk luan. Duhet dhënë zemra në fushë e në stërvitje, duke vrapuar pa fund”, u shpreh ai.

Shqipëria do të luajë në 8 qershor në Rekjavik ndaj Islandës dhe më pas në 11 qershor në “Elbasan Arena” ndaj Moldavisë.

Shqipëria renditet e treta në grupin H me tri pikë, teksa grupin e kryeson Franca me 6 pikë, e ndjekur nga Turqia po me 6 pikë.

/gj.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.