Manja: KLD hap këtë javë garën për anëtarë të Gjykatës së Lartë

TIRANË, 31 maj/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste Ulsi Manja gjatë një interviste televizive foli për datën e zgjedhjeve, si dhe për Reformën në Drejtësi.

Manja u shpreh se 30 qershori është data kushtetuese, e dekretuar nga Presidenti. Ne e kemi filluar fushatën dhe nesër do të jetë hapja zyrtare saj, nga ku do prezantohen kandidatët, dhe do t’i kërkohet qytetarëve të dalin të votojnë.

“Ne si PS jemi të angazhuar tërësisht për fushatën e 30 qershorit, pala tjetër e ka braktisur fushën e betejës, dhe me një gjuhë të ashpër politike kërkon të imponojë që të mos dalin të votojnë dhe se nuk do bëhet zgjedhje. Nuk ka asnjë shans që një parti politike të ndërmarrë veprime të dhunshme që të mos dalin të tjerët në fushatë. Mendoj se gjatë fushatës do të ketë edhe debat intensiv, ne kemi vendosur të hymë në fushën e betejës, do ketë komunikim interaktiv. Ne nuk kemi mundësi tjetër zgjedhje, opozita iku nga parlamenti dhe argumentet e tyre nuk qëndrojnë”, – tha Manja.

Deputeti theksoi se “zgjedhjet e 2017, ishin të parat zgjedhje ku pati një fushatë të qetë. Ka pasur një situatë votimi perfekt. Krimi zgjedhor është ende i paprovuar. Dosjen 339, nuk e shkoqis dot, sepse kanë dalë copëza përgjimesh. Mendoj se opozita duhet të jetë një opozitë me zgjidhje. Zgjedhjet janë vullnet politik, gjë e cila nis që te numërimi i 5 qendrave të votimit. Rezultati i një qendre votimi pas 4 ditësh, është shenja e parë e keqfunksionimit”.

Manja gjatë kësaj interviste foli edhe për Reformën në Drejtësi, ku sipas tij të gjitha palët politike kanë frikë nga reforma.

“Ne si mazhorancë kemi qenë promotore dhe e kemi mbështetur Reformën dhe do e çojmë deri në fund, e kemi kalin tonë të betejës. Do përgjigjemi të gjithë. Ligji e ka përcaktuar një radhë se cili do t’i nënshtrohet i pari Vetingut. Nga Gjykata e Lartë duhet të fillonte, sepse ishte një nga arsyet kryesore që kishte rënë sistemi. Brenda korrikut do të jetë funksionale Gjykata Kushtetuese. KLD këtë javë, do hapë garën për anëtarë të Gjykatës së Lartë për ata jashtë sistemit. Këto ditë gara hapet edhe nga radhët e juristëve”, – tha deputeti socialist Manja. /m.z/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.