Imzot Gjergj Frendo: Dialog për zgjidhjen e krizës, politikanët të kenë parasysh të mirën e përbashkët se sa atë vetjake

TIRANË, 31 maj/ATSH/- Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, Imzot Gjergj Frendo shpreh shqetësimin lidhur me situatën në vend, duke theksuar se “sa më shumë të zgjasë kjo situatë, më shumë të rënda do të jenë pasojat për shoqërinë tone”.

“Ne, si ipeshkvinj katolikë, si edhe Këshilli Ndërfetar, kemi shprehur shqetësimin tonë për situatën e krijuar, dhe i kemi bërë apel politikanëve tanë që të gjejnë rrugën e duhur për zgjidhjen e kësaj krize, duke pasur parasysh të mirën e përbashkët më shumë sesa të mirën e partisë ose vetjake, dhe duke ndjekur rrugën e dialogut”, apelon ai në një njoftim për mediet.

“I frymëzuar nga këto mësime nxis të gjithë besimtarët e dioqezës sonë që të premten e ardhshme ta mbajnë si ditë agjërimi dhe lutjeje për një zgjidhje paqësore për vendin tonë. Kjo ditë, vetëm dy ditë para festës së madhe të Rrëshajeve, do të jetë edhe një ditë përgatitjeje shpirtërore për festën e ardhjes së Shpirtit Shenjt, që Ai, me dhuratat e tij të urtisë dhe të forcës, t’i ndriçojë politikanët tanë për të gjetur rrugën e paqes dhe t’i forcojë për të hequr dorë nga çdo lloj krenarie që i pengon nga rruga e drejtë. Njëkohësisht u urdhëroj të gjithë famullitarve që atë ditë, e premte, më 7 qershor, të organizojnë në kishat famullitare një adhurim për paqen, për të cilën t’i nxisin besimtarët të jenë të pranishëm”, përfundon Imzot Gjergj Frendo./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.