Soreca: Zgjedhjet më 30 qershor, palët të ulen në dialog pa parakushte

TIRANË, 30 maj/ATSH/ – “Është koha kur të dyja palët të bëhen bashkë dhe të mos shikojnë interesat e tyre legjitime, por interesin më të lartë kombëtar, që siç e dini është ai i qytetarëve shqiptarë”.

Kështu u shpreh ambasadori i bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soraca gjatë një interviste në “Real story”, duke theksuar se klima politike në vend do të ketë një ndikim të tërthortë në imazhin që do të japë Shqipëria në vendet e BE-së.

“Ka ardhur koha që Shqipëria të ngrihet mbi këto ndasi politike, pasi kemi mundësi për të kthyer faqen në librin e historisë së Shqipërisë. Çelja e negociatave me BE është ajo që e do shumica e Shqiptarëve dhe kjo është  provë për partitë politike, pasi në këto moment BË do të vendosë për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Vendimi që do të marrin partitë politike në Shqipëri do të ketë një ndikim të tërthortë, por jo të drejtpërdrejtë në imazhin që do të japë Shqipëria motrave dhe vëllezërve në BE. Gjatë muajve të fundit kemi bërë thirrje për dialog, sepse demokracia në fund të fundit përbëhet nga kompromisi. Është koha kur të dyja palët të bëhen bashkë dhe të mos shikojnë interesat e tyre legjitime, por interesin më të lartë kombëtar, që siç e dini është ai i qytetarëve shqiptarë”, – përfundoi ai.

Sipas Ambasadorit mazhoranca dhe opozita duhet të ulen në tryezën e dialogut pa parakushte, duke shtuar se vendimi i opozitës për djegien e mandateve “është një gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë dhe prandaj nuk duam që të kthehet në një precedentë”.
“Sipas shtetit të së drejtës, zgjedhjet duhet të bëhen me 30 Qershor. Nëse palët gjejnë një zgjidhje duhet të pasqyrohet në Kodin Zgjedhor. Çdo hap duhet të bëhet në përputhje me ligjin”. Ka ardhur koha që Shqipëria të ngrihet mbi ndasitë politike. Çelja e negociatave me BE është ajo çfarë duan më shumë shqiptarët”, tha ai duke shtuar se ky është një test për partitë politike.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.