Raporti i KE-së, Spiropali: Opozita, i vetmi faktor sabotues në projektin tonë europian

TIRANË, 30 maj /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënësja e Qeverisë, Elisa Spiropali tha sot nga foltorja e Kuvendit se rekomandimi pozitiv nga Komisioni Europian për çeljen e negociatave jo vetëm konfirmon rrugën europianiste të qeverisë dhe të Shqipërisë, por njehson më në fund pasqyrimin me fytyrën.

“Ky raport në gjuhën e vet aq të ndryshme nga raportet e tjera konfirmon që tashmë shëmbëllimi ynë para pasqyrës, pra para partnerëve tanë është i njëjtë me fytyrën tonë të vërtetë, me atë çka kemi bërë në vendin tonë”, – tha ajo.

Spiropali tha se në raport theksohet me forcë se Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm në Reformën në Drejtësi, se ka ndërmarrë një reformë unike dhe e pakrahasueshme me vendet e tjera të rajonit dhe një model për to.

“Raporti flet edhe për arritjet e Reformës. Mbi 140 prokurorë e gjykatës kanë kaluar në sitën e Vetingut nga të cilët 88 janë larguar nga sistemi ndërsa 53 të tjerë janë konfirmuar në detyrë.

Me rezultatet e arritura, Shqipëria konsiderohet si partner i besueshëm i Bashkimit Europian, jo vetëm si një vend që është në monitorim”, – theksoi Spiropali.

Sipas saj, ndryshe nga ajo çka pretendohet natë e ditë me vite të tëra nga opozita ekstraparlamentare, në raportin e progresit theksohet se Shqipëria dhe qeveria ka bërë një tentativë të jashtëzakonshme jo vetëm për të çrrënjosur trafikimin, por edhe kultivimin e kanabisit. Aty flitet edhe për luftën kundër korrupsionit dhe vendosjen e raportit të ri përmes kulturës së zbatimit të ligjit.

“Raporti i progresit është i ndryshëm edhe nga ai i vitit të kaluar. Është një raport i progresit i ri, i thelluar në analizë për të përfshirë të gjitha shqetësimet e ngritura në vitin 2018”, – tha ministrja Spiropali.

“Nga pikëpamja politike raporti, ndryshe nga gjuha e mëparshme e ftohtë e Komisionit Europian, ka folur shkoqur. Thuhet në raport se opozita praktikisht ka luajtur një rol destruktiv në avancimin e reformave: dalja nga parlamenti, djegia e mandateve, por edhe dhunë në rrugë. Opozita cilësohet si i vetmi faktor problematik, sabotues në të gjithë projektin tonë europian”, – theksoi ajo. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.