Raporti i KE bën përgjegjëse opozitën për sjelljen e saj jo demokratike

TIRANË, 30 maj /ATSH-Gjergji Mima/ “Raporti i Komisionit Europian e bën përgjegjëse opozitën për sjelljen e saj jo demokratike”, deklaroi sot Ministri në detyrë për Europën e Punët e Jashtme, Gent Cakaj në një komunikim publik për progresraportin e Komisionit Europian, ku rekomandohet hapja pa kushte e negociatave me Shqipërinë.

“Vetë Komisioni konstaton se parlamenti i Shqipërisë është funksional dhe është i gatshëm me kapacitete të plota për të kryer funksionet e tij”, – tha Cakaj.

Ky raport, shtoi Cakaj, “ka edhe një mesazh implicit për opozitën. Dhe kushdo që ka vullnetin e mjaftueshëm mund ta kuptojë këtë. Fillimisht raporti thotë se opozita duhet të ri përfshihet në institucionet demokratike. Që do të thotë ajo aktualisht ka pushuar së qenuri demokratike dhe ka pushuar së vepruari në kuadrin e kornizave institucionale demokratike.

KE thotë se duhet të tejkalohet polarizimi politik në shërbim të interesit madhor europian. Dhe është fare e qartë kush e ka marrë vlerësimin për punën për të ecur përpara në axhendën europiane dhe kush ka marrë veprime për të cenuar nivelin e reformave, imazhin ndërkombëtar dhe gjasat e hapjes së negociatave”.

“Nëse shtetet anëtare do ta përdorin si alibi sjelljen e opozitës për mos hapje të negociatave kjo është një çështje tjetër. Por kjo nuk na dekurajon neve nga angazhimi i plotë në drejtim të hapjes së negociatave. Në fund ta keni parasysh se KE me gjuhë të paparë më herët dhe me formulime që nuk i ka përdorur më herët, ka thënë diçka fare qartë, që reforma elektorale dhe gjasa e unifikimit politik në Shqipëri është cenuar, përkundër përpjekjeve të qeverisë, nga sjellja e opozitës”, – u shpreh Cakaj.

Dhe, shtoi Cakaj, “ky raport nuk është vetëm përgjigje për kritikat që opozita jep çdo ditë ndaj qeverisë, sepse ky raport dëshmon që të gjitha kriteret teknike janë përmbushur nga qeveria. Por edhe vetë përmbajtja e këtij raporti e bën përgjegjëse opozitën për sjelljen e saj jodemokratike. E bën përgjegjëse atë për shkallën e zbatimit të reformës elektorale dhe për mundësinë që Shqipëria të konsolidojë sistemin elektoral në përgjithësi. Dhe natyrisht e bën përgjegjës për cenimin e konsensusit të gjerë shoqëror pro-europian që Shqipëria ka nevojë aktualisht”.

Ne, theksoi Cakaj, “do të vazhdojmë përpara, sepse axhenda pozitive e Shqipërisë dhe axhenda progresive e Shqipërisë nuk mund të cenohet nga askush”.

Ky raport i KE, nënvizoi Cakaj, “nuk vjen thjesht si përgjigje pas ca kohësh për veprimet e opozitës. Raporti i KE është dëshmi edhe i një fakti tjetër që qeveria ka menaxhuar të ruajë axhendën pozitive e të suksesshme përkundër sjelljeve të opozitës”.

“Dhe që në elaborimin për Shqipërinë në raportin e KE dhe në konkluzionet e përgjithshme të komunikimit europian e gjeni këtë përgjigje që reformat në Shqipëri kanë vazhduar në mënyrë konsistente kundër ambientit të polarizuar politik. Që do të thotë përkundër prirjeve të dikujt për të vështirësuar punën e qeverisë, qeveria ka ruajtur konsistencën e saj dhe rezultatet e saj janë të dukshme. Dhe fundja mos të jetë kjo një çështje interpretimesh subjektive. Mos të jetë kjo një çështje e besimit tuaj ndaj nesh që jemi këtu. Le të jetë thjesht njohje e fakteve që KE ka komunikuar dje. Jo për shqiptarët, por për të gjithë Europën”, – tha Cakaj./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.