Klosi: Të gjithë bashkë duhet të promovojmë potencialet turistike

TIRANË, 30 maj/ATSH/- Turizmi dhe mjedisi, janë dy sektorë të cilët vlerësohen për progresin e arritur nga Komisioni Europian në raportin e publikuar një ditë më parë ku dhe u dha rekomandimi pozitiv për hapjen pa kushte të negociatave.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot në Kuvend se mjedisi ka qenë një ndër kapitujt e parë në procesin e hapjen së negociata. Ai shtoi se rreth 60% e legjislacionit janë përshtatur sipas ligjeve europiane.

Por vijoi, Klosi, më e e vështira e këtij procesi nuk është miratimi i ligjeve, por implementimi i tyre për mbrojtjen e mjedisit dhe kthimin e Shqipërisë në një destinacion gjithnjë në rritje të turistëve.

“Më vjen mirë që diskutohet mjedisi pasi është mundësi punësimi dhe ekonomie për vendin tonë, është para publike më e madhe, por a jemi ne një destinacion europian dhe a e promovojmë ne Shqipërinë si destinacion europian, a mendojmë ne për këtë turizëm si një mundësi e artë për t’u ngritur më me forcë për mijëra e mijëra familje nga veriu në jug”, – u shpreh Klosi, duke shtuar se të gjithë duhet të bashkohemi në mbrojtje të mjedisit dhe promovimit të potencialeve që vendi ynë ka.

“Jemi destinacion i ri, që po morëm goditje në këtë sezon, goditja do të na zgjasë edhe dy-tre vjet të tjera dhe sa të kthehemi ne në realitet, sa të krijojmë bindjen te tur operatorët dhe te turistët që në Shqipëri do të gjejnë një vend të qetë ku natyra dhe turizmi janë bashkë, ku mikpritja dhe toleranca janë bashkë, por ne këtë po e shkatërrojmë me duart tona. Ne flasim për politika të mëdha integruese, ky pra është integrimi”, – deklaroi ministri, duke iu referuar protestave të opozitës të cilat po i shkaktojnë dëm të madh turizmit.

“Nëse vjet na vizituan 6 milionë turistë të huaj, këtë vit ky numër është po në rritje, por ky numër është shumë më pak sesa ne kemi potenciale. Shqipëria është vetëm në çerekun e përdorimit të potencialit të saj turistik”, – tha ai./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.