Hajdari: Përballja në Kuvend të fokusohet tek opozita e ulur në sallë

TIRANË, 30 maj/ATSH/- Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari, gjatë fjalës së saj në Kuvend të enjten, duke replikuar me Kryeministrin Edi Rama kërkoi nga kreu i qeverisë që energjia e debatit në Kuvend të fokusohet tek e ardhmja e vendit dhe jo tek ajo që e cilësoi retorikë e dalë boje me fjalë e premtime boshe.

Sipas saj, Kryeministri merr përsipër të flasë për gjithçka, duke mos qenë gjithëpërfshirës, ndërsa kërkoi që vëmendja të kalojë nga retorika me politikën e vjetër në përballjen me opozitën në kuvend.

“Kryeministri foli për shumë tema, për integrimin, rrugët, shëndetësinë, tenderët… etj. Ai foli për gjithçka, duke diktuar politikat, ndërsa nuk lejoi zonjat e zonjushat që ka në qeveri të vijnë të shprehin qëndrimin e tyre. Ju duhet të jeni gjithëpërfshirës për të bërë një debat sa më konstruktiv”, – apeloi Hajdari.

“Në Shqipëri nuk thuhet e vërteta. E vërteta është se s’ka shëndetësi. Sot një doktor paguhet 78 000 lekë, ndërsa në spital s’ka drita për të futur një pacient në operacion. Shëndetësia si jep dot integritetin e duhur mjekëve, që po largohen nga ky vend. Ne nuk kemi pasur kurrë shëndetësi falas, por kemi një shëndetësi të dështuar”, – tha Hajdari.

“Ju Kryeministër s’keni bërë asnjë rrugë të re, por jo vetëm kaq. Sot po kërkoni të vini tra në çdo rrugë, në Kukës e keni vendosur traun dhe kërkoni që këtë tra ta vendosni dhe në segmente të tjera… Për çfarë suksesi flisni sot ju, zoti Kryeministër? Sot ka fshatra në Shqipëri që s’kanë më elementaren, bukën, ujin, energjinë elektrike dhe librat. Ç’kusur kam unë që opozita jo parlamentare të më thotë se jam me ju. Pse unë duhet të dëgjoj ty që flet këtu për opozitën jo parlamentare, pse unë sot s’mund të kem bindjet e mia në këtë vend? Unë kam ardhur këtu dhe jam duke luftuar për vendin tim, vendin e fëmijëve të mi, prandaj mos na bëni retorikë me propaganda të dala boje dhe me një opozitë që nuk është këtu”, – tha Hajdari, duke iu drejtuar Kryeministrit Edi Rama, gjatë replikës së saj me Kreun e Ekzekutivit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.