FOTO/ Pikturat murale nga artistë ndërkombëtarë që po transformojnë Patosin

TIRANE, 30 maj/ATSH/- Elementët e traditës së qytetit të Patosit, vijnë të realizuara me pikturat murale të dhjetëra artistëve nga mbarë bota, duke sjellë një ekuilibër midis mjedisit dhe industrisë së naftës.

“Street Art”-i është parë si një ide gjeniale, e cila i shndërron objektet si vepra të vërteta arti. Street-artistët, në bashkëpunim edhe me bashkinë Patos, por edhe me disa bashki të tjera në vend po ndryshojnë monotoninë e shumë ndërtesave dhe pallateve duke u dhënë ngjyra e forma objekteve të ndryshme.

Disa prej artistëve të mëdhenj të street artit, të cilët janë të njohur në të gjithë botën, do të lënë gjurmën e tyre në bashkinë e Patosit, e cila më pas, krahas transformimit që do të pësojnë këto hapësira urbane, do të jetë edhe burim atraksioni turistik për qytetarët nga brenda dhe jashtë vendit, pas promovimit të madh që ky projekt realizon.

Në festivalin ndërkombëtar “Street art” marrin pjesë artistë nga Argjentina, Spanja, Greqia, Meksika dhe Gjermania.

Kryetarja e bashkisë, Rajmonda Balili u shpreh se “kemi ndërhyrë në infrastrukturën e banesave për të rifreskuar fasadat e pallateve në pjesën kryesore të qytetit, por me këtë lloj projekti synojmë, që të sjellim gjallëri në qytet, duke i dhënë të gjitha ngjyrat, që do të simbolizojnë edhe ngjyrat e qytetit, por që njëkohësisht do të edhe disa simbolika të veçanta, që ka qyteti edhe historia e tij”.

Ndërveprimi që do të krijojnë përmes pikturës, fasadave dhe ambientit ku janë vendosur, do të sjellë një vëmendje të shtuar për zonën e Patosit./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.