Veseli: Presim që qytetarëve tanë përfundimisht t’u njihet e drejta legjitime

PRISHTINË, 29 maj/ATSH/ – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pranuar sot raportin për Kosovën, nga Bashkimi Europian.

Atë ia dorëzoi shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova. Pasi pranoi raportin, Veseli i tha shefes së BE-së në Kosovë që presin lëvizje pa viza për qytetarët e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se do të marrin përgjegjësitë që u takojnë, ndërkohë që për rekomandimet pozitive do të mundohen të bëjnë punën edhe më mirë.

Pasi pranoi dokumentin, Veseli uroi europarlamentarët e rinj dhe tha se Kosova është e përkushtuar për të rritur progresin në rrugën e integrimeve europiane.

Përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tregoi rekomandimet e Komisionit dhe Parlamentit Europian.

Në takimin me shefen e BE-së, Kadri Veseli tha se drejtimi i Kosovës është integrimi në BE dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.