Soreca: Shqipëria ka arritur një gur kilometrik, partitë të bashkohen për integrimin

TIRANË, 29 maj/ATSH/ – Të gjitha partitë politike duhet të jenë të bashkuara sa i përket objektivit të integrimit europian dhe të lënë mënjanë ndasitë e tyre.

Kështu deklaroi sot Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, pas dorëzimit të progresraportit të Komisionit Europian.

“Ka disa sfida që duhen konsoliduar për sa i përket progresit të përparimit në veçanti në dy fusha. Shqipëria duhet të vazhdojë të ndërtojë më tepër mbi këtë historik solid në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe së dyti, nevojën për një konsensus të fortë kombëtar për prioritetin madhor të integrimit europian duke tejkaluar polarizimin dhe duke treguar vullnet politik të fortë për të kaluar përtej ndasive partiake”, – nënvizoi Soreca.

Prandaj, vijoi ai, ne ritheksojmë thirrjet që i kemi bërë gjatë muajve të fundit të gjitha partive për t’u angazhuar në dialog në interes të interesit publik që është mbi të gjitha.

“Sot Shqipëria ka arritur një gur kilometrik shumë të rëndësishëm. Dëshiroj të uroj Kryeministrin Rama dhe të gjithë qeverinë e tij për arritjet e tyre dhe që morën rikonfirmimin e rekomandimit pozitiv të Komisionit për të çelur negociatat e anëtarësimit”, – theksoi Soreca.

Kreu i BE-së në Tiranë tha se “mbështetja e madhe popullore dhe besimi në BE e kanë ndihmuar Shqipërinë në mënyrë sistematike për të shtyrë përpara dhe për të konsoliduar procesin e reformave të paprecedenta që ju po bëni”.

“Qytetarët shqiptarë vazhdojnë të tregojnë që janë një nga vendet e Europës me besimin më të lartë në BE”, – tha ai./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.