Rekomandimi i KE, Peleshi: T’ja dalim për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë

TIRANË, 29 maj /ATSH/- Kreu i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese ka reaguar pas dhënies së rekomandimit pozitiv nga ana e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

“Partnerët edhe këtë herë na zgjatën dorën drejt rrugës së vetme të aspiratës sonë, Bashkimit Europian. Kemi 1 muaj kohë për të treguar se shqiptarët që duan të ardhmen europiane të vendit, janë shumica, thotë Peleshi ndërsa nënvizon se, sprova janë zgjedhjet e 30 Qershorit”.

Lidhur me këtë lajm të mirë për Shqipërinë, deputeti socialist Peleshi shprehet se “më shume se sa për politikën, duhet t’ia dalim për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë”.

Komisioni Evropian publikoi progresraportin për vendet e Ballkanit Perëndimor. Për Shqipërinë, specifikisht në fushën e ekonomisë, Komisioni Europian cilëson se Qeveria shqiptare ka bërë progres ndër të tjera edhe në fushën e agroturizmit.

Për sa i përket nivelit të papunësisë progresraporti cilëson se rritja e punësimit prej 2.7% në vitin 2017, ka lejuar që norma e papunësisë të bjerë nga 15.6% në 2016-ën, në 14.1% në 2017-ën dhe në 12.8% në 2018-ën.

Komisioni Europian vlerëson se është bërë një punë e mirë, sa i përket fuqisë kompetitive të ekonomisë shqiptare me ekonomitë evropiane.

e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.