Raporti i KE për Shqipërinë, progres i qartë i 5 prioriteteve kyçe

TIRANË, 29 maj/ATSH/ – Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka komentuar rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, duke theksuar se ky raport është një tregues i qartë për progresin e 5 prioriteteve kyçe.

Në një lidhje direkte për “Top Channel”, Cakaj u shpreh se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave për anëtarësim.

“Raporti i sotëm dëshmoi progresin e Shqipërisë në 5 prioritete kyçe në përgjithësi, por edhe në përmbushjen pa ekuivoke të kushteve të Këshillit për hapjen e negociatave në veçanti. Ky raport është i rëndësishëm meqenëse kurorëzon vlerësimin nëse Shqipëria meriton hapjen e negociatave në qershor të këtij viti apo jo, dhe përgjigjja është kristal e qartë se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave për anëtarësim menjëherë”, – u shpreh Cakaj.

Cakaj theksoi gjithashtu se: “Vlera e raportit është e posaçme për tri arsye: E para, sepse konsideron Reformën në Drejtësi si model shembullor për rajonin dhe më gjerë, qoftë për pastrimin e sistemit të drejtësisë nëpërmjet Vetingut, qoftë nëpërmjet ngritjes së institucione të reja të drejtësisë që krijojnë parakushte për një gjyqësor të pavarur. Elementi i dytë, është roli i Shqipërisë në rajon, ku vlerësohet fakti se Shqipëria ka kultivuar relacione të mira me fqinjët dhe në fund, është me rëndësi të theksohet që Shqipëria figuron si i vetmi vend në rajon që vepron në përputhje absolute me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE. Sfida jonë në vijim është përkthimi i vlerësimit teknik të Komisionit në vullnet afirmativ politik të Këshillit, në mënyrë që ajo që sot është aspiratë, nesër të jetë realitet. Pra të mundësojmë hapjen e negociatave”, – tha ministri.

Ministri bëri me dije se për të bindur vendet anëtare të BE-së për anëtarësimin, do të zhvillohen fushata të veçanta për bindjen e vendeve skeptike sa i përket zgjerimit.

“Deri tani kemi pas një tur lobimi për të rritur ndjeshmërinë te vendet anëtare, gjithnjë bazuar në progresin e Shqipërisë, por natyrisht edhe për rëndësinë strategjike të këtij vendimi. Ne do kemi një fushatë të veçantë në mënyrë që të bindim vendet anëtare që mund të kenë rezerva sa i përket procesit të zgjerimit, që tani është momenti që të respektohen meritat e Shqipërisë për punën e deritanishme, siç ka rekomanduar edhe KE”, – tha më tej Cakaj.

I pyetur nëse Belgjika do t’u bashkohet zërave skeptikë për zgjerimin e BE, Cakaj i cilësoi këto opinione si të ekzagjeruara dhe se klima për Shqipërinë ka evoluar në mënyrë pozitive.

“Nuk më takon të flas për vendet anëtare në veçanti, apo për politikat e tyre, por mund të konfirmoj se opinionet që qarkullojnë janë të ekzagjeruara, dhe krahasuar me vitin e kaluar klima për Shqipërinë ka evoluar në mënyrë pozitive. Na takon ne që ta shfrytëzojmë këtë moment pozitiv në mënyrë efektive dhe ta rrisim ndjeshmërinë tek vendet anëtare për të hapur negociatat në qershor të këtij viti, apo në datën e ardhshme, siç mundëson axhenda e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme“, – përfundoi ministri.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.