Mogherini: Shqipëria ka bërë detyrat, tani është radha e BE-së

TIRANË, 29 maj/ATSH-Maela Marini/ “Rekomandimi për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut bazohet në vlerësime të qëndrueshme dhe të prekshme. Këto vende e kanë bërë punën e tyre tani është radha e BE-së për të bërë pjesën e saj, pas rekomandimit topi është në Këshillin e BE-së”, deklaroi sot shefja për Politikën të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Mogherini foli në një konferencë të përbashkët për shtyp nga Brukseli, pas publikimit të progresraportit të KE-së për Shqipërinë, ku u rekomandua çelja pa kushte e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Perspektiva europiane, sipas Mogherinit, “mbetet forca për ndryshim sidomos në Ballkan dhe kjo nuk duhet nënvlerësuar dhe as të merret si e mirëqenë”.

Ajo vlerësoi reformën ambicioze në drejtësi në Shqipëri, e cila ka vazhduar në rrugë të qëndrueshme me rivlerësimin e të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve dhe ka dhënë rezultate të prekshme.

“Në vizitën e fundit në Tiranë u impresionova dhe mendoj se Shqipëria ka një mbështetje të fuqishme nga populli për anëtarësimin në BE. Këtë vit për herë të dytë Komisioni rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë”, tha Mogherini.

“Vendet e rajonit janë angazhuar në reforma të fushës juridike, të shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma ekonomike dhe në drejtim të bashkëpunimit rajonal. Shpesh e them se politika e zgjerimit na çon në ADN-në e procesit të zgjerimit të BE-së, duke tejkaluar plagët e luftës dhe duke përdorur integrimin në BE si mjet thelbësor për pajtim pas konflikteve”, tha Mogherini.

Kjo paketë, sipas saj, “jep mesazhe të rëndësishme jo vetëm për partnerët tanë, por edhe  për ne”. “Raporti bazohet në meritë dhe kur merita vlerësohet si pozitive duhet të njihet dhe pranohet. Nëse nuk e njohim kjo do të dëmtonte besueshmërinë te BE dhe do të shkurajonte për reforma të tjera”, tha Mogherini. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.