KE publikon sot progresraportin për Shqipërinë

TIRANE, 29 maj/ATSH/- Komisioni Europian publikon sot progresraportin për shtetet në procesin e zgjerimit, ku përfshihen shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia.

Paketa e Zgjerimit për vitin 2019 dhe Raportet Vjetore për shtetet përkatëse të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, do të publikohen sot në Bruksel nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së/Zv. Presidentja e Komisionit, Federica Mogherini dhe Komisioneri Johannes Hahn.

Shefi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, në orën 12:30, në Europe House do të çelë transmetimin e konferencës për shtyp.

Raporti në tërësi do të përmbajë vlerësime për ecurinë e reformave në vendet e Ballkanit.

Më herët Parlamenti Europian u ka bërë thirrje shteteve anëtare të Bashkimit Europian që të hapin zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë vizitës zyrtare në Tiranë vetëm pak javë më parë, shefja e politikës së jashtme Federika Mogherini, deklaroi se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për hapjen e negociatave ndërsa përmendi si shembull Reformën në Drejtësi.

/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.