Europa Ligë/ Sarri nervoz para finales së Baku. Qetësi në kampin e “Arsenal”

TIRANË, 29 maj/ATSH-A. Fortuzi/ – “Arsenal” dhe “Chelsea” do të sfidohen sot në mbrëmje në kuadër të finales së Europa Ligë. Dy skuadrat e Premier Ligë pritet të dhurojnë spektakël mbrëmjen e të mërkurës, duke nisur nga ora 21:00 në Baku të Azerbajxhanit, në impiantin “Baku Olympic Stadium”. Gjyqtari i takimit pritet të jetë italiani Gianluca Rochi.

“Chelsea” në letër duket favorit, duke parë dhe rendimentin këtë sezon në Premier Ligë, ku përfundoi në vendin e tretë, ndërsa “Arsenal” në vendin e pestë. Prandaj për “Arsenal” triumfi në këtë finale është rruga e vetme për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Prandaj dueli pritet të jetë tepër emocionues.

Gjatë ditës së martë, te “Chelsea” janë vënë re nota nervozizmi. Sulmuesi Higuain dhe mbrojtësi David Luaiz, gjatë seancës stërvitore të fundit janë përplasur mes tyre, duke nervozuar teknikun Maurizio Sarri, që për shkak të këtij episodi dhe të një debate me David Luiz ka braktisur seancën stërvitore, duke ja besuar asistentëve të tij. “Finalja është shumë e rëndësishme për ne pasi duam të fitojmë një trofe. E  ardhmja ime te Chelsea do të vendoset pas takimit me presidentin e klubit. Unë kam dhe dy vite kontratë këtu”, tha Sarri. “Nëse Kante nuk ia del vendin e tij do ta zërë Kovacic ndërsa në sulm do luajnë Hazard, Pedro e Giroud”, bëri të ditur Sarri.

Nga krahu tjetër, te “Arsenal” situate duket e qetë dhe ky trofe duket si një mundësi e ratë për të kurorëzuar një sezon të vështirë. Unai Emery, tekniku i “Arsenal” ka bërë të ditur se nuk ka mungesa. Sipas tij, lojtarët janë të përqendruar dhe janë të bindur se mund të dalim me trofe nga kjo sfidë. ”Të fitojmë këtë takim na lejon të kemi një trofe më shumë në palmaresin tonë por mbi të gjitha na kalon në Champions. Është e bukur të jetojmë një moment të tillë dhe lojtarëve u them ta shijojnë dhe të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe tifozët tanë”, – ka deklaruar tekniku i topçinjve, Emery.

“Arsenali” nuk e ka fituar asnjëherë Europa Ligën, titullarë priten edhe dy futbollistët me origjinë shqiptare Shkodran Mustafi e Granit Xhaka, ndërsa në sulm pritet të jenë dyshja: Aubameyang e Lacazette.

Kjo finale i paraprinë finales të së shtunës në mbrëmje mes “Tottenham” dhe “Liverpool” në Ligën e Kampionëve, në kompeticionin më të rëndësishëm të panoramës europiane të futbollit./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.