Bashkëqeverisja, Fatime Lako nga Durrësi pajiset me certifikatën e pronësisë

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Fatime Lako nga Durrësi arriti të pajisej me certifikatën e pronësisë, vetëm pasi iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes.

E pranishme në takimin e përjavshëm që Kryeministri Edi Rama organizon me koordinatorët e bashkëqeverisjes, qytetarja nga Durrësi tregoi pengesat që kishte hasur për të regjistruar pronën e saj.

Fatime Lako nga zona e ish-kënetës Durrës, pasi ishte pajisur me leje legalizimi, ishte paraqitur në shkurt 2018 për regjistrimin e saj pranë ZRPP Durrës. Me pretendimin se në pronën e saj kishte mbivendojse, ZRPP nuk lëshonte certifikatën e pronësisë.

Fatime Lako vendosi t’i drejtohej platformës së bashkëqeverisjes dhe pas verifikimeve dhe korrigjimit të hartave përkatëse, në 7 maj ajo mori në dorë certifikatën e pronësisë.

Kryeministri vlerësoi se është një ndryshim i madh që ndodh çdo ditë në jetën e qytetarëve që e përdorin platformën si rezultat i besimit që na kanë dhënë për ta qeverisur këtë vend dhe përpjekjet që bëjmë çdo ditë për të ndryshuar mënyrën e funksionimit të administratës.

“Ka ende shumë probleme, gjëra për të vënë në vend, sidomos me dokumentet e pronësisë ku hartat duhet të lidhen me bazën e të dhënave, e shumë e shumë probleme mbivendosje që janë krijuar nga e shkuara dhe një administratë ku jo të gjithë janë të përgjegjshëm dhe në dispozicion të qytetarëve”, – tha Rama.

Ai nënvizoi mundësinë e madhe që platforma u jep secilit për të zgjidhur në kohë rekord probleme, halle dhe çështje që për 1001 arsye burokratike kanë mbetur pezull”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.