Basha: Negociatat nuk do të hapen në qershor

TIRANË, 29 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se beteja e opozitës nuk është për karrigen e një partie, por që pushteti t’i takojë çdo qytetari. Duke folur në një takim në Fier, Basha vuri në dukje se gjendjen në vend e dinë të gjithë qytetarët, të djathtë e të majtë, e dinë edhe në Bruksel.

“Edhe ata që bëjnë sikur nuk i dinë. I di edhe Edi Rama. Partnerët tanë ndërkombëtarë ia kanë bërë të qartë atij, siç kanë informuar edhe kryetarin e opozitës, se në gjendjen aktuale, Këshilli Europian i qershorit do të votojë për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë. Dhe ky është një lajm ndëshkimi për çdo shqiptar, ndëshkim i pamerituar që ka një fajtor, një emër, Edi Ramën dhe qeverinë e tij antieuropiane”, tha Basha.

Sipas tij, Edi Rama e ka frikë hapjen e negociatave, sepse “e di fare mirë se ç’ka ndodhur në ato vende ku janë hapur negociatat. Se të parët që kanë shkuar para drejtësisë kanë qenë pushtetarët që kanë abuzuar me pushtetin”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.