Statistikat, zgjerohet përdorimi i teknologjisë në veprimtarinë e ndërmarrjeve

Në vitin 2018, ndërmarrjet me 250+ punonjës përdorin 100 % kompjuter me akses në internet

TIRANË, 28 maj /ATSH/- Rritja e punësimit gjatë vitit 2018 shënoi paralelisht edhe zgjerimin e përdorimit të teknologjisë në ndërmarrje.

INSTAT publikoi sot të dhënat mbi “Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit në Ndërmarrje” ku evidenton se gjatë vitit 2018, përqindja e ndërmarrjeve të cilat kanë specialistë të fushës së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është 22,9 %, nga 22,4 % që ishte në vitin 2017.

Sipas INSTAT, kompjuterët janë përdorur në një masë më të madhe nga punonjësit e ndërmarrjeve që kanë aktivitet në fushën e informacionit dhe komunikacionit me 73,9 %, aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 68,6 % dhe aktivitetet e riparimit të kompjuterëve, artikujve personal dhe familjarë me 65,2 %.

Nga ndërmarrjet që përdorin kompjuter, në vitin 2018, 97,5 % e tyre kanë akses në internet, ndërsa në vendet anëtare të BE-së ky tregues është mesatarisht 97,0 %. Në vitin 2018, ndërmarrjet me 250+ punonjës përdorin 100 % kompjuter me akses në internet.

Në vitin 2018, numri i ndërmarrjeve që kanë pasur shpejtësinë e shkarkimit të informacionit më të lartë se 10 Mbit/s është 56,3 % nga 45,8 % që ishte në vitin 2017. Në vitin 2018, ndërmarrjet që kanë pasur faqe interneti janë 44,9 % e ndërmarrjeve që përdorin kompjuter me akses në internet nga 47,3 % që ishte në vitin 2017. Në vitin 2018, në 80,4 % të ndërmarrjeve, faqja e internetit është përdorur për të shfaqur katalogët e produkteve ose çmimet e tyre nga 71,3 % që ishte në vitin 2017.

Në vitin 2018, 5,7 % e ndërmarrjeve kanë shitur produkte/shërbime nëpërmjet faqes së internetit apo aplikacioneve të dedikuara, nga 7,7 % që ishte vitin e kaluar. Peshën më të madhe të tregtisë elektronike e zënë ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në fushën e informacionit dhe komunikacionit me 23,6 %, pasuar nga riparimi i kompjuterëve, artikujve personal e familjar me 20,0 % dhe shërbimet administrative dhe mbështetëse me 13,0 %.

Në vitin 2018, media sociale (Facebook, Linkedln, Twiter, Youtube, etj.) është përdorur nga 52,4 % e ndërmarrjeve që përdorin kompjuter me akses në internet, nga 46,8 % që ishte në vitin 2017. Gjatë 2018, në 80,0 % të ndërmarrjeve, media sociale është përdorur për të përmirësuar imazhin e ndërmarrjes ose të tregut të produkteve (p.sh. për reklamë, për hedhjen në treg të një produkti të ri, etj) nga 79,6 % që ishte në vitin 2017, 25,4 % e ndërmarrjeve e kanë përdorur median sociale për të shkëmbyer mendime, opinione apo njohuri brenda ndërmarrjes nga 20,0 % që ishte në vitin 2017, bën të ditur INSTAT. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.