Morinë, bllokohen 375 kg kafe nga Kosova dhe 21,6 tonë qumësht pluhur nga Serbia

TIRANË, 28 maj /ATSH/- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në pikën kufitare të Morinës ka bllokuar dhe rikthyer në vendin e origjinës 375 kg kafe nga Kosova dhe 21,6 tonë qumësht pluhur nga Serbia.

AKU njofton se, nga kontrolli i ushtruar në një ngarkesë me 375 kg “Kafe Espresso D-CAFFE”, nisur nga Kosova me qëllimin për t’u tregtuar në Shqipëri, inspektorët e ushqimit  kanë konstatuar se produktit “Kafe Espresso D-CAFFE” i kishte mbetur afat përdorimi më pak se gjysma (1/2) e jetëgjatësisë. Për rrjedhojë, nuk plotësonte kërkesat ligjore për hyrjen në territorin e Shqipërisë, dhe si e tillë nuk ishte e përshtatshme për konsum.

Në bazë të legjislacionit në fuqi, AKU nuk lejoi futjen e këtyre produkteve në territorin e Republikës së Shqipërisë, ngarkesa me këtë produkt ushqimor u kthye në vendin e origjinës.

AKU bën të ditur se, nga kontrolli i ushtruar në një ngarkesë me 21,6 tonë qumësht pluhur, nisur nga Serbia me qëllimin për t’u tregtuar në Shqipëri, inspektorët e ushqimit në pikën kufitare të Morinës, kanë konstatuar se importuesi “ITAL GEL” nuk është i licencuar për shitje me shumicë të ushqimeve me origjinë shtazore për konsum human (nuk ka licencën përkatëse për aktivitetin me Kod II-1B).

Në bazë të legjislacionit në fuqi, AKU mori marrën masa administrative “Bllokim” të sasisë prej 21,6 tonë qumësht pluhur, me urdhër kthimin e produktit në vendin e origjinës.

e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.