FUTBOLL – De Rossi kërkohet edhe nga klubet e Premier Ligës angleze

TIRANË, 28 maj/ ATSH-A. Fortuzi/- Premier Liga duket si një nga destinacionet e mundshme për mesfushorin e “Romës”, Daniele De Rossi. Sipas medieve italiane, De Rosi pasi i ka dhënë lamtumirën “Romës” ka nisur të mendojë për të ardhmen.

Ish-shoku i tij i skuadrës, Mohamed Salah, i cili tashmë luan me “Liverpool”, në një prononcim të dhënë për mediet është shprehur se De Rossi ka dhënë gjithçka për “Romën”, por do të dëshironte që ta shihte atë në Premier Ligën angleze.

“Është një legjendë dhe një mik i madh. Nuk e di ç’mund të them tjetër, e pashë ndeshjen e fundit të tij dhe tifozët që e përshëndetën. De Rossi është një legjendë e klubit dhe e futbollit italian. Ai ka bërë gjithçka për ‘Romën’, ka bërë shumë sakrifica. A mund të vijë ai në Premier League? Do të doja shumë të vinte këtu, nuk e di nëse është mundësia, por është i mirëpritur, i uroj më të mirën”, ka thënë Salah.

Në drejtim të De Rossit ka pasur dhe shumë oferta, mbi të gjitha “Bologna”, që përmes teknikut të saj, Sinisha Mihajloviç ka bërë të ditur se ka një interes të lartë për futbollistin.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.