Dialogu Kosovë-Serbi, Meta: Përgjegjësi ekskluzive e udhëheqësve të Kosovës

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë një interviste televizive deklaroi se “dialogu Kosovë-Serbi është një përgjegjësi ekskluzive e udhëheqësve të Kosovës dhe e institucioneve të Kosovës.

Shqipëria, duke e mbështetur këtë dialog do të pranojë dhe duhet të pranojë çdo zgjidhje për të cilën institucionet e Kosovës do të shprehen në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës. Çdo përfshirje e Shqipërisë apo institucioni të Shqipërisë në temat e dialogut Kosovë-Serbi, do të ishte një ndërhyrje e panevojshme, që mund të mos rezultonte ndihmuese për sa i takon, në radhë të parë demonstrimit të autoritetit dhe legjitimitetit të plotë të institucioneve të Kosovës. Dhe së dyti, mund të krijonte keqkuptime të panevojshme”, – është shprehur ndër të tjera Presidenti Meta.

Meta theksoi se “Shqipëria ka për detyrë, t’i kërkojë Kosovës një bashkëpunim, një koordinim, një unifikim për këto tema. Natyrisht edhe një koordinim tepër të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, por edhe të Shqipërisë dhe të gjithë procesit të integrimit euroatlantik dhe europian të rajonit tonë”.

“Kam theksuar me të gjithë, se nevojitet një koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë të veçantë, por edhe me Gjermaninë, sepse është një faktor kyç dhe do të jetë gjithmonë kyç për sa i takon së ardhmes europiane të rajonit tonë, me Britaninë e Madhe që ka pasur dhe ka një rol të rëndësishëm për rajonin tonë, sidomos për pavarësinë e Kosovës dhe me faktorët e tjerë relevantë e të interesuar pozitivisht për perspektivën e këtij rajoni. Pastaj vendimet i takojnë popullit të Kosovës, u takojnë institucioneve të Kosovës”, – theksoi ai.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.