Zgjerimi i portofolit të kredisë u mbështet nga huaja në lekë

TIRANË, 27 maj /ATSH/- Ekonomia në trend rritjeje ka forcuar pozitat e lekut në raport me valutat, madje Leku ka përmbysur edhe raportin me euron duke u bërë monedhë e preferuar për huamarrje.
Banka e Shqipërisë konstaton se zgjerimi i portofolit të kredisë është mbështetur nga huaja në lekë, e cila u rrit me 3.2 miliardë lekë, ose 8,1% krahasuar me një vit më parë.
Këto ritme rritjeje mbeten më të larta se mesatarja e shënuar për vitin 2018 (rreth 6%), duke reflektuar likuiditetin e mirë të bankave dhe kërkesën e bizneseve për financim për mbulimin e nevojave për likuiditet.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, krahas kreditimit në lekë, përmirësim ka shfaqur edhe kredia në valutë.
Norma nominale e rritjes së saj iu rikthye vlerave pozitive pas një periudhe njëvjeçare që shënonte tkurrje.
Ndërkohë, stoku i kredisë në valutë vijon të ndikohet nga mbiçmimi vjetor i lekut ndaj monedhave kryesore. Rregulluar për këtë efekt, ritmet mesatare të rritjes vjetore të këtij portofoli shfaqen në nivele të qëndrueshme, rreth 4,4%. e.xh/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.