Zgjedhjet për PE, Basha: Forca e qytetarëve në demokraci është vota

TIRANË, 27 maj/ATSH-A. Fortuzi/ – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar lidhur me zgjedhjet e zhvilluara për Parlamentin Europian, duke e lidhur atë me situatën në Shqipëri.

Në reagimin e Bashës theksohet se forca e qytetarëve është vota, prandaj beteja e shqiptarëve për votën e lirë është betejë jetike për vlerat europiane, për demokracinë perëndimore dhe për Shqipërinë si gjithë Europa.

“Qytetarët europianë, me pjesëmarrjen më masive të 20 viteve të fundit në zgjedhjet për Parlamentin Europian, konfirmuan vendosmërinë për të mbrojtur dhe çuar përpara vlerat europiane”, thekson Basha.

“Jam i lumtur që familja jonë politike EPP – European People’s Party është konfirmuar forca e parë në parlamentin dhe qeverisjen europiane. Urimet më të përzemërta për presidentin Joseph Daul dhe PPE dhe në veçanti për fushatën e jashtëzakonshme të kandidatit tonë për President të Komisionit Europian Manfred Weber”, shtoi kryetari i PD.

“Forca e qytetarëve në demokraci është vota, prandaj beteja e shqiptarëve për votën e lirë është betejë jetike për vlerat europiane, për demokracinë perëndimore dhe për Shqipërinë si gjithë Europa. Asnjë hap pas! Shqipëria si Europa, më 2 qershor!”, përfundon Basha duke kujtuar dhe protestën e radhës të opozitës. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.