Prezantohen kandidatët socialistë për bashkitë e qarkut Gjirokastër

TIRANË, 27 maj /ATSH/ U prezantua në Gjirokastër ekipi i kandidatëve të Partisë Socialiste, për zgjedhjet e 30 qershorit.

Në takim ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi tha se për të shtatë bashkitë janë përzgjedhur më të mirët.

“Ata që do të çojnë përpara dhe do të menaxhojnë siç duhet punët në zonat urbane dhe rurale të këtyre bashkive. Edhe pse kemi një situatë politike të pazakontë për shkak të papërgjegjshmërisë dhe dëshpërimit të dy partive opozitare, askush nuk mund t’i ndalojë zgjedhësit të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese”, tha ai.

“30 qershori është një datë historike, është një referendum për mënyrën se si do të vijojë të jetë Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Memaliaj, Këlcyra, Libohova dhe Dropulli”, theksoi Çuçi, duke shtuar se nuk ka kohë për të humbur duke shkuar pas berihait me opozitën e ikur në drejtim të paditur.

“Deri më 30 qershor duhet të flasim me këdo që njohim, në qytet apo në fshat, të bashkojmë mendjet dhe zemrat e të gjithëve, për t’i bindur se Partia Socialiste është e vetmja alternativë së cilës mund t’i besohet”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.