Nis shpërndarja e Kartës së Studentit, Rama: Realitet një tjetër angazhim i Paktit për Universitetin


TIRANË, 27 maj/ATSH/ Nisi sot shpërndarja e Kartës së studentit në Fakultetin Ekonomik, në Tiranë.

Përmes saj, studentët do të kenë lehtësira në 62 shërbime të ndryshme publike dhe mbi 40 kompani private që nga bankat, telekomunikacioni, transporti, supermarketet, njësitë e shërbimit kulturor, kinematë, teatrot, sporti etj.

Kryeministri Edi Rama ishte sot me studentët e Fakultetit të Ekonomisë, një pjesë e të cilëve janë dhe vetë pjesë e stafit të angazhuar në këtë proces.

Rama tha se, është e rëndësishme që gama e shërbimeve që do të merren përmes kartës do të pasurohet edhe më tej në të ardhmen.

“Faleminderit që nuk po protestoni pse ka radhë. Kjo është shenjë e rëndësishme durimi. Sigurisht që për të bërë mbi 80 mijë karta do të duhet pak durim, sepse praktikisht koha e llogaritur është deri në fillim të korrikut, por ma ha mendja se bashkë me fakultetet dhe universitetet do të krijohet një sistem ku grupet vijnë njëri pas tjetrit dhe mund të eliminohet ai fluksi i madh”, tha Rama.

Rama tha se ndërkohë janë vendosur bazat për të bërë një bashkëpunim në funksion të eficiencës së kartës, jo vetëm me bashkitë, por edhe me sektorin privat. Sipas tij, “karta nuk do të ketë vetëm ato përfitime që u takojnë studentëve në bazë të tarifave të reduktuara për muzeume, për hapësira të tjera dhe shërbime të tjera publike, deri tek transporti publik, por edhe përfitime nga marrëveshjet me kompani që ofrojnë shërbime të ndryshme, të cilat do vijnë duke u shtuar”.

“Për momentin janë mbi 40 kompani private nga kompanitë që shesin uniformat sportive, tek kompanitë që ofrojnë shërbime të tjera, deri tek bankat dhe kompanitë celulare. Kështu që është një proces që do ta pasurojë gamën e shërbimeve që mund të merren nëpërmjet kartës”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “në bazë të ligjit të arsimit të lartë, ky proces duhet të ishte bërë nga vetë universitetet”. “Kjo nuk ndodhi dhe ne e morëm përsipër, falë edhe shtytjes që na dhatë ju, që me të drejtë në fakt, thatë, ‘ne nuk ka rëndësi se kush do ta bëjë, ne duam kartën’. Kështu që sot, është fakt që karta ka filluar të prodhohet dhe në shembullin e parë që u krijua falë edhe punës së bërë nga bashkia e Tiranës, do ta zhvillojmë kartën edhe në bashkitë e tjera”, shtoi Rama.

Duke e konsideruar këtë një zhvillim pozitiv, Rama tha se “po të mos ishte protesta e studentëve, sot nuk do ishte as karta”. “Në fund të fundit, kjo është dhe e bukura e sistemit që kemi zgjedhur, demokracisë, ku qeveria nuk prezumohet as që i di të gjitha dhe, as që duhet lënë rehat që të bëjë gjërat siç i di, por prezumohet që qytetarët, jo vetëm kur japin votën, por dhe gjatë gjithë procesit qeverisës, kanë zërin e tyre dhe lum ata që kanë një qeveri që i dëgjon, siç lum ju që na keni ne që ju dëgjojmë e do ju dëgjojmë vazhdimisht”, tha Kryeministri.

Kryetari i bashkisë Erion Veliaj shpjegoi procesin e shpërndarjes së kartës, e cila shumë shpejt do të jetë aktive edhe në versionin elektronik.

“Përveç mbi 62 shërbimeve shtetërore, kryesisht bashki, Ministria e Kulturës, kemi sot mbi 40 kompani, nga të cilat kompani celularësh, që do të bëjnë ofertat e tyre, bankash që do të mund të transferojnë lekët, në aplikacionin e kartës, kompani sportive, veshjesh, elektronike, librari, etj. Kështu që, deri javën tjetër, ne do të kemi më shumë privatë që janë bërë partnerë të kartës, se sa ç’kemi pasur shërbime në publik”, tha Veliaj.

Ai shtoi se procesi do të funksionojë pak a shumë, si kompania që jep kartat e identitetit. “Kemi rreth 100 mijë karta për rreth 80 mijë studentë. Kështu që, parashikojmë deri në fund të muajit shumica ta kenë marrë. Të gjithë studentët përveç kësaj do të kenë dhe versionin elektronik, që nga e hëna bëhet aktive. Në fund do të kemi një database me të gjithë e-mail-et dhe celularët dhe kush do të informohet vendos një herë në muaj ose një herë në javë për të gjitha ofertat ose për të gjitha komunikimet që do të bëjë universiteti apo Ministria e Arsimit në të ardhmen, bashkia për një event, etj. Studentët e vitit të parë e marrin për tre vite. Studentët e vitit të dytë për dy vite dhe studentët e vitit të tretë apo të masterit, e marrin në tetor deri sa mbaron afati i tyre. Duke filluar nga sot çdo pikë që ofron këtë shërbim do të ketë një stiker që thotë “këtu pranohet karta e studentit”, tha ai.

Procesi i aplikimit për kartën zgjat vetëm 4 minuta dhe deri në javën e parë të korrikut parashikohet që të bëhet kompletimi i të gjithë studentëve. “4 minuta zgjat aplikimi. Secila prej pikave ka mundësi të japë 100 karta në ditë. Kështu që ne jemi të gatshëm të mbarojmë deri në javën e parë të korrikut të gjithë numrin e studentëve që ka Tirana, 86 mijë studentë”, – sqaroi nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbër Mazniku./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.